Pres masa dhe përgjegjësi nga drejtorët e dy klinikave të fëmijëve, ku mjekët kanë bërë lëshime në trajtimin e fëmijës 14-muajsh që ndërroi jetë. Kështu u shpreh Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, kur u pyet nëse do të shkarkojë drejtorin e Spitalit të Fëmijëve dhe atë të Spitalit Kozle.

Taravari tha se raporti nga Komisioni tashmë është dërguar edhe në Klinika edhe në Odën e Mjekëve dhe sipas ligjit, mund të bëjnë ankesa, por deri më tani asnjë ankesë nuk ka arritur në Ministri.

Nga Oda e Mjekëve kanë bërë të ditur se kanë marrë raportin nga komisioni i ekspertëve, si dhe kanë marrë një shkresë nga Klinika “Kozle”, në të cilën ky institucion shëndetësor jep këndvështrimin dhe qëndrimin e vet lidhur me pretendimet nga raporti i Ministrisë së Shëndetësisë.

Më 5 tetor, në Klinikën e Fëmijëve ndërroi jetë një vajzë 14 muajshe, e cila më herët ishte refuzuar për shtrim në këtë Klinikë dhe prindërit e kanë dërguar në “Kozle”. Më 14 tetor, komisioni në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë publikoi raportin nga mbikëqyrja e ekspertëve, ku ndër të tjera thuhet se në Klinikën e Fëmijëve gjatë ekzaminimit të dytë të bërë më 3 tetor, është bërë një mbikëqyrje në vlerësimin e nevoja për shtrimin në spital të fëmijës, dhe në “Kozle” u konstatua vlerësimi joadekuat dhe i parakohshëm i vlerës së vështirësive në frymëmarrje.