Drejtori i NP “Higjiena Komunale” – Shkup, Sabahudin Rustemi, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij për arsye morale.

Lajmin e konfirmoi avokati i tij, Asmir Alispahiq, në një deklaratë për media pas marrjes në pyetje në Gjykatën Penale, e cila caktoi paraburgim 30-ditor për Rustemin dhe udhëheqësin e sektorit të mbeturinave, Aki Saiti, për shkak të “rrezikut të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë së përsëritjes së veprës”.

Sipas avokatit Alispahiq, dorëheqja e Rustemit nuk lidhet me ndonjë ndjenjë përgjegjësie për situatën me mbeturinat në Shkup, por ka për qëllim të shmangë çdo ndikim mbi hetimet.

“Dorëheqja e tij është bërë pas konsultimeve dhe koordinimit me ne si mbrojtës. Ky është një akt që do të mundësojë zhvillimin e papenguar të hetimit, me synim që të dëshmojmë se ai nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka ushtruar ndikim në ndonjë mënyrë mbi procedurën hetimore,” – deklaroi mbrëmë Alispahiq.

Ai shtoi se mbrojtja posedon një numër të madh provash, të cilat do të vërtetojnë se Rustemi ka ndërmarrë veprime konkrete për të siguruar mekanizimin e nevojshëm, ka kërkuar burime shtesë dhe punësime, por kërkesat e tij nuk janë miratuar nga bordi drejtues.

Rustemi u emërua drejtor i “Higjienës Komunale” nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në fillim të këtij viti.

Ndërkohë, Gjykata Themelore Penale e Shkupit pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike dhe caktoi masë paraburgimi prej 30 ditësh për dy drejtues të ndërmarrjes, për shkak të dyshimeve për veprën penale “Rrezikimi i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe me Programin operacional për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave komunale, duke shkaktuar deponi të vogla ilegale në hapësira publike dhe rrugë të Shkupit.

Inspektimet e jashtëzakonshme dhe ekspertët e Institutit për Shëndet Publik kanë konfirmuar se ky menaxhim i pakujdesshëm i mbeturinave ka ndotur tokën, ajrin dhe ujin, duke krijuar rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.