Këngëtarja me origjinë kosovare, Dua Lipa, ka qenë një nga motorët kryesorë të rritjes në industrinë muzikore britanike gjatë vitit të kaluar, duke kontribuar në një ndikim ekonomik të vlerësuar rreth 8 miliardë paund. Sipas të dhënave të raportuara për sektorin, të ardhurat totale të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur me rreth 5%, me Lipën mes emrave që e shtynë kurbën lart përmes shitjeve, transmetimeve, turneve dhe “eksporteve” kulturore.

Albumi i saj i fundit, “Radical Optimism”, debutoi në vendin e parë dhe u shoqërua me një tur promovues ndërkontinental nga Singapori, Japonia e Malajzia që rriti të ardhurat nga eksporti muzikor në afro 4.8 miliardë £. Në “efektin Dua Lipa” u mbivendos edhe fuqia skenike e Taylor Swift, Liam Gallagher, grupit Take That dhe Bruce Springsteen, ndërsa Charli XCX i shtoi sektorit një valë globale me albumin “Brat”.

Në totalin prej 8 miliardë £, rreth 1.49 miliardë £ erdhën nga shitjet fizike, shkarkimet dhe streaming-u në platformat muzikore një bazë e qëndrueshme që, bashkë me biletarinë dhe të ardhurat dytësore, mban në këmbë ekosistemin: studio, etiketa, manaxhmente, teknikë, krijues, promotorë.

Organizata ndërsektoriale UK Music thekson se industria punëson rreth 220 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar. Por, përveç lajmit të mirë, raporti sinjalizon edhe një “frenim” të ritmit pas boom-it menjëpandemik dhe ngre shqetësime strukturore nga kostot e turneve te shpërndarja e të ardhurave në epokën e streaming-ut duke kërkuar masa të shpejta për të ruajtur konkurrueshmërinë.

Ndërkohë, Dua Lipa vijon turin në Argjentinë, ku pas dy netëve në stadiumin e Buenos Aires u pa në ndeshjen River Plate  Boca Juniors krah motrës së saj, Rinës. Një imazh i thjeshtë “off stage” që përforcon paradoksin e bukur të superstardomit të saj: njëkohësisht fenomen global ekonomik dhe artiste pop që ruan lidhjen e drejtpërdrejtë me publikun.