DUA LIPA: Kosova ka lezet dhe kështu i tregojmë botës

Gazetare: Saranda Selimi

Fotografitë: Arben Llapashtica

Që nga ora 14:00, e të premtës së 1 gushtit, vet rruga nga qendra e Prishtinës e deri tek fshati Bërnicë paralajmëronte se diçka e madhe do të ndodhte në kryeqytetin e Kosovës.

Shumë makina, autobusë e taksi ishin renditur duke krijuar një kolonë goxha të madhe deri te arritja në cak.

Sa shumë fansa. Disa kishin zënë vend mu te skena e madhe “Main Stage”, që kur dyert ishin hapur, pikërisht në orën 14:00, duke qëndruar aty për orë të tëra në pritje të asaj.

“Kam udhëtuar 30 orë me autobus për të qenë këtu”, ishte njëra ndër pankartat e shumta që u shpalosën atë natë.

Gjithcka ishte gati. Sa shumë drita, ngjyra, të rinj e të reja, të veshur secili më bukur se tjetri, duke shijuar në maksimun secilën pikë, secilën skenën, secilën këngë e duke respektuar secilin artist që ngjiti ato skena.

Ora shënon 22:20.

Me një skenografi që të lënte pafrymë, u ngjit në atë skenë, një yll i madh botëror, Dua Lipa.

Afër 40 mijë veta brohoritën dhe treguan se janë gati të këndonjë e kërcejnë bashkë me të për 2 orë pa ndal.

Dua Lipa dha spektakël në këtë edicion të Sunny Hill Festival.

Përvec që këndoi e vallëzoi pa ndal, ajo i dha një vëndje të madhe publikut. U afrua tek turma dhe bisedoi me ta. Bëri fotografi dhe i përqafoi fort.

Ishte e jashtëzakonshme.

“Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival, për vendin tonë. Tash janë bërë gjashtë edicione të këtij festivali, e çdo vit po bëhet mirë e më mirë”, tha Lipa.

Ky ishte momenti ku ajo bëri një falenderim për të gjitha ata që janë prapa syve të kamerave dhe bëjnë të mundur realizimin e këtij festivali.

Përveç këtij fjalimi, Dua Lipa, me një dashuri të madhe, solli momentin kulminant të mbrëmjes. Ajo ftoi babain e saj Dukagjin Lipa, për të i‘u bashkuar në skenën që ta këndonjë bashkë këngën ‘Era”.

Jo vetëm Dugi iu bashkua Duas në këtë këngë, gati 40 mijë veta kënduan me aq fuqi sa kishin secilën pjesë të kësaj kënge.

Spektakli dhe madhështia e këtij koncerti vijoi me super-hitet ‘New Rules’, ‘Dance the Night’ dhe ‘Don’t Start Now’, performanca këto që ndezën skenën dhe bënë që publiku të këndojë e të vallëzojë pa pushim.

Ndërkaq, ky koncert përfundoi me ‘Houdini’, një fund magjik për një natë të paharrueshme, që shënoi rikthimin e yllit Dua Lipa në skenën e Prishtinës.

Nata nuk mbaroi. Ama fare nuk mbaroi. Festa vazhdoi deri në mëngjes.

Pamë shumë shkrime që paraqitën e Rita Orën në skenën e Sunny Hill.

Po, ishte e vërtet, edhe Rita Ora u bë pjesë e këtij festivali, pasi që, DJ i famshëm britanik Fatboy Slim surprizoi publikun gjatë performancës së tij me një këngë të këngëtares kosovare po ashtu me famë botërore, Rita Ora.

Sunny hill kishte vetëm fillim, netët e tjera deri në fund të festivalit nuk dihej se kur mbarojnë e kur fillojnë.

Mrekulli.

Shawn Mendes.

Kantautorit kanadez, i cili e përjetoi Prishtinën për herë të parë jo vetëm si një vend koncertesh, por si një hapësirë emocionale ku ndjenjat artistike përqafohen me një publik që i këndon njëzëri këngët e tij.

Nisi me “There’s Nothing Holding Me Back”, e nuk u ndal për dy orë me këngët e tij që mbajtën publikun me energji super të mirë, e po ashtu edhe ai, ndaloi për një moment për t’i falenderuar të gjithë.

“Të jesh muzikant do të thotë të vizitosh shumë vende dhe të takosh shumë njerëz, kur erdha këtu isha pafundësisht i emocionuar të shoh gjithë këta njerëz, jemi shumë të lumtur qe jemi këtu”, tha ai.

Një moment i veçantë ishte interpretimi i “Señorita”, ndërsa koncerti vazhdoi me “Ruin”, “Never Be Alone”, “Mercy”, “Youth” dhe “Stitches”.

Mendes përfundoi mes emocionesh përvojën e tij të parë në Prishtinë me hitin e tij ‘In my blood’.

Derisa këtu luajti një rol të madh skenografia dhe fishekzjarret e shumta që disi të jepnin adrelaninë.

Pas Mendes, Mochak, ishte DJ që mbajti në element publikun e po ashtu edhe DJ-t e tjerë vendor e ndërkombëtar.

Kështu nga nata e dyte vazhdoi me DJ edhe nata e tretë dhe e fundit për këtë edicion të Sunny Hill.

Në këtë festival nuk mungoi as mesazhi “FREE PALESTINE”, i paraqitur në një ekran në skenën e madhe.

Anyma dhe Peggy Gou.

Ishte Anyma DJ amerikan ai që elektrizoi skenën e publikun përgjat dy orëve. Ata që pëlqejnë krijimin e tij, e dinë që pjesë e pandashme e performancave janë edhe vizualet mahnitëse që shkojnë njëkohësisht me muzikën, duke dhënë ndjesi që publikun e dërgon në një tjetër nivel.

Jo më pak e dashur dhe e mirëpritur ishte edhe artistja koreane Peggy Gou.

Të dy këta artistë botëror, përmbyllën edicionin e 6-të të Sunny Hill Festival, i cili i dha ngjyra Prishtinës e gjithë Kosovës./Alsat.mk

The post DUA LIPA: Kosova ka lezet dhe kështu i tregojmë botës appeared first on Alsat.