Kryeprokurori i ri duhet ta ruajë pavarësinë e tij dhe të mos bjerë nën çfarëdo ndikimi – porositën avokatët Vladimir Tufegxhiq dhe Aleksandar Novakoski në emisionin “Click Plus” në TV21. Sipas Tufegxhiqit, vetë procesi zgjedhor i kryeprokurorit ka notë politike. Por, thotë ai, është krijuar ambient ndarjesh se po zgjidhet mes të përshtatshmëve dhe më të aftëve. Ai duhet të jetë edhe i aftë edhe i përshtatshëm, deklaroi Tufegxhiq.
“Vetë procesi zgjedhor i kryeprokurorit ka notë politike. Roli kyç i kryeprokurorit është ta ketë përshtatshmërinë për bashkëpunim me të gjitha këto organe që i përmenda. Por roli i tij është të jetë korrigjues në zbatimin e ligjit në momentin kur qeveria do të devijojë. Ky është roli i tij nëse duam tashmë të kemi kryeprokuror ashtu siç duhet”, tha Vladimir Tufegxhiq – avokat.
Sipas Novakoskit, Qeveria ka të drejtë ta zgjedhë kryeprokurorin dhe ai nuk sheh mënyrë tjetër përveç modelit aktual. Por, thotë se është kyçe të zgjidhet person që do të punojë në interes të shtetit dhe të prokurorisë. Ai do të jetë njeriu kyç dhe do të ketë rëndësi thelbësore për drejtimin në të cilin do të lëvizë gjyqësori dhe reformat e paralajmëruara.
“Kryeprokurori në këtë moment do të jetë njeriu kyç tek i cili duhet të shpresojmë për reforma të caktuara. Besoni se do të jetë njeriu kyç që historikisht mund të fillojë të punojë profesionalisht, sepse kjo menjëherë do të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në gjyqësor, nëse do të pranojë në prokurori ndikime të tilla që dikush të shëtitet apo jo. Kjo do të shihet shpejt. Për më tepër, sipas meje, duhet të ketë aftësi të mira menaxheriale”, u shpreh Aleksandar Novakoski – avokat.
Ndërkohë, topi tani është te Qeveria. Ajo do të vendosë se cili emër do t’i kalojë filtrat qeveritarë. Pastaj propozimin do ta dërgojë në Kuvend, i cili duhet ta zgjedhë Kryeprokurorin që do ta pasojë Lupço Kocevskin, i cili në dhjetor dha dorëheqje të pakthyeshme.
Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve dhanë mendim pozitiv për katër kandidatë: prokuroren Lençe Ristoska, ushtruesen aktuale të detyrës së kryeprokurores Anita Topollova-Isajllovska, prokuroren Lidija Raiçeviq dhe gjyqtarin Nenad Saveski.
Nga gara ra ish-gjyqtari penal Vlladimir Pançevski. Ndërsa kryeministri Mickoski, në një intervistë televizive, e “eliminoi” prokuroren Ristoska.
