Gazetare: Fatlume Dervishi
VMRO-DPMNE-ja dorëzoi propozim-Rezolutën si kundërpërgjigje ndaj propozim-Rezolutës së LSDM-së për migrantët. Nga partia në pushtet thonë se kanë firmosur edhe deputetë të ZNAM-it dhe VLEN-it dhe se dokumenti është garanci që në vend nuk do të pranohen migrantë dhe nuk do të ketë kampe migrantësh. Sipas tyre, Rezoluta e LSDM-së nuk është e sinqertë dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit.
“Me këtë rezolutë janë theksuar të gjitha kornizat dhe qytetarët munden të jenë të qetë se siguria e shtetit nuk do të rrënohet. Nuk kemi mesazhe të fshehta ashtu siç na akuzuan një ditë më parë. Me vetëdije dhe me qëllim gjithkund ku drejtohemi, përmendim migrantët dhe vlerësojmë se më nuk munden të merren me këtë temë dhe të luajnë me ndjenjat e qytetarëve të shtetit”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja thotë se duhet të votohet Rezoluta e tyre e cila qartë thotë se nuk do të pranohen migrantë.
“Me kundër-rezolutën, VMRO-DPMNE dhe ZNAM e konfirmuan atë që me ditë jemi duke e thënë; ekziston marrëveshje për migrantë në këmbim të parave. Shteti është në gjendje të rëndë financiare. Boshllëku buxhetor për momentin është një miliardë euro. Thesari mbyllet para kohe, vonojnë pagesat për pushimin e lindjes, vonojnë pagesat për ndihmat sociale, pagesa e TVSH-së, nuk ka para për rroga dhe pensione”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Tema e migrantëve u aktualizua pasi mediat britanike raportuan për një marrëveshje të mundshme mes qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe të Maqedonisë për strehimin e azilkërkuese të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Mbretërinë e Bashkuar. /Alsat.mk
The post Dy Rezoluta në Kuvend kundër migrantëve, njëra nga pushteti dhe tjetra nga opozita appeared first on Alsat.
