Qeveria e ardhshme e Holandës nuk do të ketë në gjirin e saj të djathtën ekstreme dhe mund të udhëhiqet nga një kryeministër homoseksual. Në zgjedhjet e fundit humbi terren forca anti-islame “Partia e Lirisë” e drejtuar nga Geert Wilders, ndërsa u rrit mbështetja për partinë e qendrës D66.

Me shumicën e votave të numëruara nga zgjedhjet e së mërkurës, D66 e Rob Jetten dhe PVV e Wilders u barazuan herët të enjten, ku të dyja pritet të marrin 26 vende në dhomën e ulët prej 150 vendesh të parlamentit.

Ky rezultat shënon një rënie të ndjeshme për të djathtën ekstreme, ndërsa D66 trefishoi rezultatin. Zgjedhjet holandeze u panë si një provë nëse e djathta ekstreme mund të zgjerojë shtrirjen apo nëse ka arritur kulmin në këtë pjesë të Europës.

Të gjitha partitë kryesore e kanë përjashtuar qeverisjen me Wilders. Kjo nuk i lë atij një rrugë të qëndrueshme drejt shumicës, ndryshe nga udhëheqësi i ri i D66, Jetten.

“Ne i kemi treguar jo vetëm Holandës, por edhe botës se është e mundur të mposhten lëvizjet populiste dhe të ekstremit të djathtë”, i tha Jetten turmës gjatë festimeve natën e zgjedhjeve.

Për Wilders, rezultati i së mërkurës është shumë më poshtë se 37 vendet që partia anti-emigracion mori në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2023.

Por gjithashtu kjo është hera e parë që pati barazim midis dy partive kryesore dhe kjo mund të vonojë dhe ndërlikojë më tej bisedimet për formimin e koalicionit, të cilat zakonisht zgjasin me muaj në Holandë.

Tradicionalisht, partia me më shumë vota ngarkohet së pari nga parlamenti me detyrën për të formuar një qeveri. Meqenëse partitë kryesore kanë përjashtuar një koalicion me Wilders, kjo e vendos Jetten në pozicionin kryesor për të formuar një qeveri dhe për t’u bërë kryeministri më i ri i vendit.

Popullariteti i 38-vjeçarit Rob Jetten u rrit ndjeshëm muajin e kaluar, ndërsa ai bëri fushatë me premtimin për të zgjidhur mungesën e strehimit, për të investuar në arsim dhe për të trajtuar shqetësimet e imigracionit.