Një rezultat i pazakontë zgjedhor në Peru ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Një politikan me emrin Hitler Mussolini Simeón Flores ka dalë fitues në zgjedhjet lokale në zonën malore të Queropalca, duke shkaktuar habi për shkak të emrit që mban.
Sipas raportimeve, kandidati i partisë së qendrës së majtë Ahora Nación ka siguruar 34.54% të votave, duke u renditur i pari në garën për drejtimin e komunës.
Por ajo që e ka kthyer këtë rezultat zgjedhor në një lajm viral nuk është programi i tij politik, por emri që bashkon dy prej figurave më famëkeqe të historisë botërore: Adolf Hitlerin dhe Benito Mussolinin.
Ironia qëndron në faktin se politikani peruan përfaqëson një forcë të qendrës së majtë, ndërsa emri i tij lidhet me dy diktatorë që simbolizojnë nazizmin dhe fashizmin.
Vetë Flores ka sqaruar më herët se emri nuk ishte zgjedhja e tij personale, por një vendim i familjes, dhe se ai nuk duhet të gjykohet për emrin që i është vendosur në lindje.
Ndërkohë, rezultatet paraprake tregojnë se votuesit e Queropalca-s i kanë dhënë përparësi kandidatit pavarësisht emrit të tij të pazakontë.
Një gjë është e sigurt: në Peru, një garë e vogël lokale është shndërruar në një histori që po tërheq vëmendjen ndërkombëtare.
