Të paligjshëm dhe jokushtetues e quajti propozimin e VV-së për votim të fshehtë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përcjell TV21. Krasniqi tha se Albulena Haxhiu nuk kalon për kryetare të Kuvendit dhe shtoi se, VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin e qeverinë.

“VV-ja bëri shkelje të hapur kushtetuese. Në kohën kur ka filluar votimi dhe ka dështuar disa herë, është e paligjshme dhe jokushtetuese propozimi për votim të fshehtë. Po më vjen keq në çfarë situate po e vendosin Avni Deharin, po e keqpërdorin. Më arbitrare është se VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin e qeverinë. Është e turpshme, fyese. Duke mos i pasur numrat për kryeministër, Kurti ka vendosur ta vazhdojë talljen edhe me deputeten Haxhiu. Kur ka dy kandidatë ka kuptim votimi i fshehtë. Nuk kalon Albulena Haxhiu edhe pikë. Nëse dëshiron me mbajt shtetin e bllokuar për shkak të Albulena Haxhiut le të na tregon çfarë borxhi i ka.  Por qytetarët nuk i kanë borxh Albin Kurtit për ta mbajtur vendin e bllokuar se u tek me bo një shoqe të tij kryetare të Kuvendit”, tha Krasniqi.