Miss Austria 2024, Lucia Sisic, ka ndërruar jetë në moshën 22-vjeçare pas problemeve të vazhdueshme me zemrën.
Lajmin e ka bërë të ditur Mission Austria, organizata që drejton konkurset Miss Austria dhe Mister Austria, përmes një homazhi të publikuar të hënën.
Sisic u kurorëzua Miss Austria në vitin 2024 dhe mbeti mbajtësja në fuqi e titullit, pasi që prej atëherë nuk është zhvilluar një konkurs tjetër.
E reja kishte folur publikisht për problemet e saj shëndetësore, ndërsa kishte treguar se ndërhyrjen e parë kirurgjikale në zemër e kishte kryer menjëherë pas lindjes.
Në një intervistë për median austriake Heute në vitin 2024, ajo kishte rrëfyer se gjendja shëndetësore kishte ndikuar edhe në fëmijërinë e saj.
“Javët sportive u zhvilluan pa mua. Fëmijëria ime ishte thjesht ndryshe, por më bëri edhe më të fortë”, kishte deklaruar Sisic.
Mission Austria shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e saj, duke e përshkruar Lucia Sisic si një grua të re të jashtëzakonshme.
