Doktor Igor Nikollov personi për kontakt për informacion për gjendjen e pacientëve jashtë vendit thotë se sonte me avion janë transportuar në Beograd për mjekim edhe 12 persona të tjerë të lënduar nga zjarri në Koçan. Katër prej tyre do të shtrohen në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe tetë në Qendrën Klinike Universitare.

Deri më tani në Serbi janë transportuar 29 pacientë. Tre të plagosur po transportohen për mjekim në Athinë, dy në Vjenë dhe dy në Zagreb.

Në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup, janë shtruar 10 pacientë. Të gjithë pacientët që po trajtoheshin në Koçan janë transferuar në Shkup. Ndërkaq, tre persona të tjerë janë sjellë për vëzhgim për shkak të thithjes së gazit.

Kujtojmë se nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan jetën e humbën 59 persona, ndërkaq 155 të tjerë janë lënduar. Disa nga të lënduarit janë shtruar në spitalet e vendit, ndërsa rastet më të rënda janë transferuar për mjekim jashtë vendit.