Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) ka hapur për herë të parë mundësinë për përfshirjen e anëtarëve nga Kosova, duke e bërë kështu institucionin e parë të BE-së që përfshin Republikën e Kosovës në strukturat e këshilluese. Përfaqësuesit nga Kosova do të zgjidhen përmes një procedure të hapur deri më 24 tetor 2025 dhe do të marrin pjesë aktive në punimet e Komitetit, me të njëjtat të drejta si pjesëmarrësit nga vendet e tjera kandidate, përveç së drejtës për të votuar.

EESC ka përfshirë më parë anëtarë nga 9 vende kandidate, përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën, të cilat kanë status formal kandidati për anëtarësim në BE. Kosova, e vetmja që nuk ka status formal kandidati, tashmë do të ketë mundësinë të kontribuojë në punën e Komitetit.

“Kosova nuk ishte përfshirë më parë për shkak të statusit formal, por pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe aktorët e tjerë, u vendos që vendi të përfshihet në fazën e dytë të këtij projekti”, thanë nga EESC për Kohën.

Anëtarët nga Kosova mund të paraqiten nga shoqëria civile, sindikatat dhe partnerët ekonomikë dhe socialë, duke sjellë përvojën dhe perspektivat e tyre në aktivitetet e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian. Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është një institucion këshillues i Bashkimit Evropian që përfaqëson shoqërinë civile, organizatat ekonomike dhe sindikatat, si dhe aktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë në proceset e vendimmarrjes së BE-së. Qëllimi kryesor i EESC është të japë opinione dhe rekomandime për legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian, duke siguruar që zëri i qytetarëve, organizatave të punëdhënësve, punëtorëve dhe grupeve të tjera të interesit të dëgjohet nga institucionet e BE-së, si Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian.