Shoqata Rinore Islame, e njohur si “Forumi Rinor Islam”, nga Maqedonia e Veriut, është përfshirë në listën egjiptiane të organizatave terroriste, raporton “Plusinfo”.
Sipas raportimit, vendimi është marrë më 10 nëntor nga Gjykata Penale e Kajros dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Egjiptit. Në listë janë përfshirë gjithsej 35 organizata islamike evropiane dhe 36 individë.
Masat e parashikuara nga vendimi përfshijnë sanksione financiare, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e veprimtarive të lidhura me subjekte egjiptiane, për një periudhë pesëvjeçare.
Autoritetet egjiptiane i lidhin organizatat e përfshira në listë me lëvizje islamiste ndërkombëtare, përfshirë “Vëllazërinë Myslimane”, e cila është e ndaluar në Egjipt.
Përcaktimi si organizatë terroriste është bërë nga autoritetet egjiptiane. Në materialin e raportuar nuk jepen të dhëna për një vendim të ngjashëm nga institucionet e Maqedonisë së Veriut./Monitor.mk/
