Gazetar: Suad Bajrami
Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënat për pagat mesatare neto për qershorin e këtij viti në Maqedoninë e Veriut, e cila kap vlerën e 48.381 denarë apo rreth 780 euro. Krahasuar me muajin qershor të vitit paraprak, paga mesatare neto është rritur për 6.4%.
“Rritja e këtillë ka të bëjë, para se gjithash me rritjen e pagës mesatare neto në sektorit Veprimtari administrative 10.6%, Bujqësi, pylltari dhe peshkim për 8.1% dhe transport dhe magazinim 8%”, thonë nga Enti Statistikave. Krahasuar me vitin paraprak është vërejtur ulje e pagës neto te sektorët: Tregti me shumicë dhe pakicë, por edhe te riparimi i automjeteve dhe motoçikletave për 9%, art, argëtim dhe rekreacion për 6.2%, ndërsa te sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar 5.9%”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
• Në administratë, bujqësi dhe transport janë rritur pagat
• Në tregtinë me shumicë e pakicë, riparim të automjeteve dhe furnizimit me energji, janë ulur pagat
Megjithatë, ana tjetër e medaljes është se krahas rritjes së pagës mesatare neto, është rritur dhe inflacioni, i cili këtë rritje pothuajse e gllabëron tërësisht. Në qershor të këtij viti Enti i Statistikave njoftoi shtrenjtimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve.
“Indeksi i shpenzimeve të jetesës në maj të vitit 2026, krahasuar me majin e vitit 2025, shënon rritje prej 4.8%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë shënon rritje prej 5.6%”, theksojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
• Shpenzimet e jetesës janë rritur për 4.8%
• Çmimet me pakicë janë rritur për 5.6%
Sipas Entit të Statistikave, më të paguarit në vend janë punonjësit e sektorit të Teknologjisë Informatike me 88.262 denarë apo mbi 1.400 euro. Pas tyre vijnë punonjësit e veprimtarive financiare dhe të sigurimit me mbi 1.100 euro dhe më pas punonjësit e minierave dhe nxjerrjes së gurit me rreth 1.000 euro. Nga 900 euro paguhen sektori i furnizimit me energji elektrike dhe gaz, punonjësit e veprimtarive shkencore, si dhe ato të mbrojtjes. Sektorët më pak të paguar, sipas Entit të Statistikave janë ato që punojnë në objektet për akomodim dhe veprimtari të shërbimit ushqimor rreth 550 euro, bujqësia 600 euro, shërbimet administrative rreth 650 euro dhe nga 700 deri në 750 euro, ndërtimtaria, industria e përpunimit, furnizimi me ujë e të tjerë./Alsat.mk.
The post Ekonomi / Paga mesatare neto në Maqedoni 780 euro appeared first on Alsat.
