Kjo është pamja para ekspoziturave të “Alta Banka – SH.A. Bitola” sot nëpër Maqedoni.

Gjithsej 19 ekspoziturat që banka i ka nëpër Maqedoni, sot nuk punuan. Ky është njoftimi që qëndron në derën e bankës. Paratë nuk mund të tërhiqen nga bankomatët, ndërsa me vendim të Bankës Popullore, kufiri javor i shumës që mund të tërhiqet është 10.000 denarë për person.
Qytetarët janë të shqetësuar për paratë e tyre.

“Vetëm tani morëm vesh përmes televizioneve. Unë nuk e dija, shkova të paguaja ujin dhe mbeturinat, por kartela nuk funksiononte. Edhe kartelat janë të bllokuara. Dy herë kam tërhequr para, një herë 5.000 dhe një herë 3.000, ndërsa tani nuk e dimë si do të zhvillohet kjo procedurë.”

“Për 10.000, po, por sot nuk t’i japin 10.000. U përpoqëm të tërhiqnim para, por nuk na lejoi fare. Madje, as nuk jemi informuar se banka do të mbyllej. Vuçiqi humbi në Beograd dhe po i mbyllin bankat edhe këtu. Duket se kjo paska qenë e Serbisë e jo e Maqedonisë. Duhet të ankohemi, sepse disa po tërheqin para me kartela, por ata që nuk kanë kartela, ku t’i marrin paratë? Ka shumë njerëz që nuk kanë kartela. Ja, unë nuk kam nga t’i marr paratë.”

“Unë punoj me persona juridikë. Që nga dje, guvernatori i Bankës Popullore njoftoi se, për shkak të kontrollit të mjeteve në situatën e krijuar rishtazi, mund të tërhiqen para me kufi javor prej 10.000 denarësh. Tani nuk e di se si do të ndikojë kjo te depozituesit dhe te mbajtësit e llogarive.”

“Nuk dimë asgjë, vetëm tani morëm vesh.”

“Kemi ardhur të marrim një formular për të kërkuar tërheqjen e parave tona nga kjo bankë, por e kanë mbyllur. Do të kërkojmë zgjidhje, por nuk e dimë ku të ankohemi. Shkuam në Qendrën për Punë Sociale, morëm vërtetim se jemi pensionistë, ndërsa këtu nuk ka numër telefoni ku mund të telefonojmë. Kemi kartelë, kemi tërhequr 10.000 denarë, ndërsa 10.000 të tjera javën e ardhshme.”

Banka Popullore, në komunikatën me shkrim, njoftoi se ALTA BANKA SH.A. BITOLA vazhdon të punojë, por nën administrim të përkohshëm dhe me kufizime në disponimin e parave.

“Vendosja e administrimit është masë e përkohshme, përmes së cilës drejtimi me pasurinë dhe veprimtarinë e Bankës përkohësisht kryhet nga persona të emëruar nga Banka Popullore. Qëllimi është të ruhet stabiliteti i Bankës dhe të mbrohen mjetet dhe interesat e klientëve të saj deri në ndryshimin e strukturës së pronësisë”, tha Banka Popullore

Siç thonë nga Banka Popullore, për personat fizikë është përcaktuar kufi javor për daljen e mjeteve nga llogaritë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet me kartelat e lëshuara nga Banka, për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa te tregtarët.

Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të personave të tjerë fizikë dhe juridikë, brenda Bankës, vazhdojnë të lejohen pa kufizim në shumë.

Personat juridikë do të mund të kryejnë vetëm pagesa të brendshme nga llogaritë e tyre drejt llogarive të personave të tjerë juridikë dhe fizikë brenda Bankës, pa kufizim në shumë.

Personat juridikë nuk do të mund të transferojnë mjete jashtë Bankës përmes sistemeve të pagesave në vend, e as të tërheqin para të gatshme nga bankomatët apo sportelet e Bankës.

Hyrjet e mjeteve nga jashtë vendit, përmes SEPA-s dhe bankave korrespondente, do të zhvillohen pa pengesa, ndërsa transfertat dalëse drejt jashtë vendit do të ndërpriten përkohësisht, si për personat fizikë, ashtu edhe për personat juridikë.