Gazetar: Petar Çaushevski

Ekspertët nga Sllovenia, Maja Ravnik nga Fakulteti i Mjekësisë në Maribor dhe Jasmina Jordan, të cilat përgatitën ekspertizën për rastin “Onkologjia”, sot në Gjykatën Penale iu përgjigjën pyetjeve të Prokurorisë, lidhur me protokollet që zbatohen gjatë trajtimit me terapi onkologjike. Ravnik theksoi se se gjatë ekspertizës, në 51 dokumentacione mjekësore të shqyrtuara, vetëm në një kishte shënim nga një konsilium multidisiplinar.

“Nga dokumentacioni i shqyrtuar shihet se ndryshimet në trajtim nuk ishin shënuar siç duhet dhe shpeshherë ishin bërë pa asnjë shpjegim”, tha Maja Ravnik, eksperte.

Ravnik theksoi se kishte pacientë pa kontrolle të rregullta ambulatore, dhe kjo ishte shënuar vetëm në një pjesë të vogël të dokumentacionit.

“Gjatësia trupore dhe pesha ishin shënuar vetëm në një numër të vogël rastesh, kryesisht kur në dokumentacion kishte fletë terapeutike. Për komorbiditetin kishim edhe më pak të dhëna dhe shumë pak dokumentacione përmbanin ekzaminim fizik. Në përgjithësi, dokumentacioni ishte shumë i paplotë”, u shpreh Maja Ravnik, eksperte.

Për rastin Onkologjia akuzohen ish‑drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev dhe dy onkologë Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, të cilët akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Në procedurë u akuzua edhe Meri Peshevska, e cila mori dënim me dy vjet burg me kusht pasi pranoi fajin para gjykatës./ Alsat.mk

The post Ekspertët sllovenë: Trajtimet në Onkologji nuk u dokumentuan siç duhet, dosjet ishin të paplota appeared first on Alsat.