Pas një nisjeje të vështirë të sezonit, Hamburger SV ka shfaqur përmirësime, por për disa lojtarë situata mbetet e vështirë. Mes tyre është edhe sulmuesi kosovar Emir Sahiti , i cili mund të lërë skuadrën këtë dimër.
Sipas “Hamburger Abendblatt”, anësori kosovar po mendon për një ndryshim të situatës në dhjetor nëse nuk siguron minutazh të mjaftueshëm në javët e ardhshme. Agjenti i tij i ri po eksploron tashmë mundësitë në treg, duke përfshirë huazimin apo një transferim të përhershëm.
Sahiti u transferua nga Hajduk Split verën e vitit 2024 për rreth 1.2 milionë euro dhe ishte titullar në dy ndeshjet e para të Bundesligës. Megjithatë, që nga java e katërt, ai nuk është përfshirë as në skuadër, pavarësisht se gjatë gjysmës së dytë të sezonit të kaluar ishte lojtar i rregullt në ekipin që ngjiti HSV në kategorinë e parë dhe ndër më meritorët për rikthimin e kësaj skuadre në elitën e futbollit gjerman.
Ish-klubi i tij, Hajduk Split, raportohet se ka treguar interes për një rikthim të mundshëm të mesfushorit. Kontrata e Sahitit me Hamburger SV skadon në 2027, por nëse situata nuk ndryshon, një largim në janar është i pashmangshëm.
The post Emir Sahiti, në janar pritet të largohet nga Hamburger SV?! appeared first on Alsat.

