Vetëvendosje e LDK gjithnjë e më afër marrëveshjes për çështjen e presidentit. Në takimin e fundit të dy liderëve Albin Kurtit të VV-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së është biseduar për emra konkretë për pozitën e presidentit të Kosovës, por asnjëri nga liderët nuk përmendën emra.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm. Tash negociimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht e gjerësisht.” – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.
Edhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se diskutimet kanë kaluar në një fazë më konkrete.
“Në tërësinë e emrave të prezantuar, mund të them me bindje të plotë se të gjithë emrat, në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak, është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani. Dhe në këtë drejtim, le të themi se ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra” – Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së
Dy partitë e tjera opozitare PDK dhe Aleanca vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë. Ata kërkojnë mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Ndërkohë PDK-ja ka dorëzuar kallëzim në Prokurori për Avni Deharin për mos thirrjen e seancës konstituive
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë ku një person publik ka autorizime zyrtare, të cilat nuk i përdorë ose i përdorë në mënyrë kundërligjore dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis. Prandaj, z. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë.” – Përparim Gruda, PDK.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, mandati presidencial së cilës përfundoi në prill, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor. Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit. /Alsat.mk
The post Emra konkretë për presidentin, por Kurti e Abdixhiku heshtin appeared first on Alsat.
