Gazetar: Suad Bajrami
Emrat e rrugëve dhe sheshit që dje shfuqizoi Gjykata Kushtetuese, përveç Komunës së Tetovës, asnjë institucion tjetër nuk i ka përdorur gjatë këtyre 19 viteve, meqë vendimi nuk është llogaritur legal si nga ana e Regjistrit Qendror, ashtu edhe nga Kadastra apo Ministria e Brendshme, por edhe disa prej kompanive private. Arsyeja ishte se këshilli komunal i udhëhequr asokohe nga Resi Abdurrahmani vendimin e kishte marrë edhe pse nuk e kishte pasur pëlqimin e domosdoshëm të Qeverisë.
Me ardhjen e Kasamit është hapur çështja e emërtimit të rrugëve, megjithatë ky emërtim nuk kishte të bëjë me këto 11 emra që dje i shfuqizoi kushtetuesja, por me rrugët që aktualisht janë të identifikuar me numra ose që fare s’kanë emër.
“Një ndër projektet më të rëndësishme për Komunën e Tetovës ka qenë edhe projekti i emërtimit të shumë rrugëve të cilat i kemi gjetur pa emra, me numra, rrugë të cilat edhe sot ne si institucione lokale, por edhe institucionet qendrore, por edhe kompanitë private, kanë problem që t’ju dërgojnë qytetarëve fatura të ndryshme, apo të komunikojnë në mënyrë të qytetëruar me qytetarët e Tetovës”, ka deklaruar Kasami më 27 janar të vitit 2025.
Një ditë pas kësaj deklarate, kryeministri Mickoski konfirmon se ekziston një marrëveshje që emrat të ndryshohen me konsensus, por ajo nuk parashikon të ndryshohen rrugët që veçmë kanë emër.
E para nuk mund të ketë ndryshim të emrave pa konsensus, ajo varet nga vendimi i Qeverisë. Nëse miratohet vendim i njëanshëm, unë si kryetar i Qeverisë nuk do ta shqyrtoj një pikë të tillë. E dyta ka marrëveshje koalicioni, ndërsa marrëveshja koalicionuese është që të gjitha ato rrugë që janë pa numra ose me numër, të marrin emër. Ndërsa ato rrugë që vetëm se kanë emër, të mos ndryshohet. Kjo është marrëveshja. Ndërsa rrugët të cilat do të propozohen për ato rrugë që janë pa numër dhe me numër, duhet të jenë të pranuara dhe të ketë kompromis koalicioni”, ka deklaruar Mickoski më 28 janar të vitit 2025
Rreth dy javë pas kësaj deklarate, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 dorëzoi një iniciativë në Kushtetuese, e cila u arkivua në muajin shkurt të vitit 2025 dhe i njëjti u bë lajm mediatik.
Prej kur u dorëzua kjo iniciativë, derisa u shfuqizua vendimi nga Gjykata Kushtetuese kanë kaluar 14 muaj. Nëse brenda këtij afati, Këshilli i Tetovës do të sillte ndonjë vendim për këto emra që kontestoheshin nga shoqata komuniste, Kushtetuesja do të ishte e obliguar ta ndërpriste procedurën. Por, meqë komuna nuk solli vendim për emrat që 19 vite ishin përdorur vetëm në komunë, atëherë Sheshit “Iliria” i rikthehet emri “Marshall Tito”, rrugës “Dervish Cara” JNA, ashtu sikur rrugës “Sollunski atentatori gemixhi”. “Mehmet pashë Deralla” do të quhet sërish “29 Nëntori”, ndërsa “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” do të quhen Ivo Llolla Ribar. Rrugët Abdyl dhe Sami Frashëri do të quhen “Lenin” dhe “Radovan Coniq”, ndërsa “Metodija Andonov Çento”, Boris Kidriç. /Alsat.mk
The post Emrat që i shfuqizoi Kushtetuesja, Komuna e Tetovës kishte 14 muaj kohë për t’i ndryshuar appeared first on Alsat.
