Skandali global i njohur si “Dosjet Epstein” ka prekur papritur edhe Sllovakinë, pasi një seri email-esh të sapo publikuara nga demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë zbuluar se Jeffrey Epstein ka përmendur në disa komunikime ish-shefin e diplomacisë sllovake, Miroslav Lajçak. Ky i fundit, që sot shërben si këshilltar i kryeministrit Robert Fico për çështjet e Ballkanit Perëndimor, figuron në korrespondencën e Epstein si një figurë me “peshë ndërkombëtare”.
Dokumentet, pjesë e një arkive të madhe materialesh që detajojnë rrjetin e gjerë të kontakteve të Epstein me personalitete të politikës, biznesit dhe botës akademike, përfshijnë edhe citime nga viti 2019, ku Epstein e prezanton Lajçakun, si mik të afërt dhe si një nga zyrtarët më të rëndësishëm evropianë të kohës. Madje, në disa raste e quan me nofkën “Miro”, duke nënkuptuar një marrëdhënie personale.
Në një tjetër mesazh, i raportuar fillimisht nga portali 360-tka.sk, Epstein përmend se “Miro do të vijë në Palm Beach për të diskutuar strategji”, duke iu referuar rezidencës së tij të njohur në Florida.
Sidoqoftë, burimet mediatike sllovake, përfshirë “Aktuality.sk”, theksojnë se dokumentet nuk ofrojnë prova që Lajçak ka qenë i përfshirë ose i vetëdijshëm për aktivitetet kriminale të Epstein.
Ato thjesht dëshmojnë se Epstein e konsideronte diplomatin sllovak si një person me të cilin ia vlente të mbante miqësi.
Email-et zbulojnë gjithashtu interesin e Epstein për zhvillimet politike në Sllovaki. Ai jep opinionin e tij për dorëheqjen e Robert Fico-s në vitin 2018 pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe kritikon fitoren presidenciale të Zuzana Caputovës në vitin 2019, duke pretenduar se Lajçak “do të kishte qenë zgjedhja më e mirë”.
Në mungesë të provave për ndonjë rol të paligjshëm të Lajçakut, dokumentet megjithatë vënë në pah përpjekjet e Epstein për të ndërtuar rrjet ndikimi, edhe në hapësirën diplomatike sllovake.
The post Emri i Miroslav Lajçak del në emailet e Jeffrey Epstein appeared first on Alsat.

