Gazetar: Avni Tahiri

Institucionet e obliguara nga Qeveria ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me inspektimet që ndodhën në Higjienën Komunale dhe institucionet përkatëse ndërsa ende nuk është gjetur përgjigja se ku është ngërçi i asaj që po ndodh në qytetin e Shkupit me mbeturinat.

Dy ditë më parë, me urdhër të qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me inspektoratet përkatëse, filluan një aksion inspektues në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”. Sipas burimeve tona, disa inspektorë hynë edhe në ambientet e ndërmarrjes dhe kanë kryer kontrolle ku janë marrë në shqyrtim një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve që lidhen me punën dhe menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje publike.

Paraprakisht, Prokuroria e Shkupit kishte paralajmëruar se do të zgjeronte aktivitetet e saj hetimore, duke theksuar se urdhri për inspektim nuk do të kufizohet vetëm në ndërmarrjen “Higjiena Komunale”, por mund të përfshijnë edhe institucione të tjera që kanë lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

E përderisa i gjithë Shkupi tash e një kohë të gjatë po zhytet në mbeturina, dy ditë më parë drejtori i Higjienës Komunale, Sabahadin Rustemi, tha për Alsat, se aktivitetet në këtë ndërmarrje po zhvillohen sipas plan programit për grumbullim. Por sipas tij, muajt e fundit janë hasur vështirësi në grumbullim për shkak të automjeteve speciale të vjetruara dhe jashtë funksioni, ndërsa shtoi se kohëve të fundit edhe disa shoferë të ndërmarrjes, nuk janë paraqitur në punë pa dhënë asnjë arsyetim. E gjithë kjo sipas Rustemit, ka ndikuar në efikasitetin e kryerjes së aktiviteteve të ndërmarrjes në terren, ndërsa shtoi se dyshon për prapavijë politike.

Nga ana tjetër Bordi Ekzekutiv i Organizatës Sindikale të SUTKOZ-it në Higjienën Komunale të Shkupit, thanë se të punësuarve të ndërmarrjes, tash e disa muaj u lëshohen pagat me vonesë edhe pse në llogarinë e ndërmarrjes, rregullisht transferohen mjete nga paratë që qytetarët i paguajnë faturat. Ndërkohë një ditë pas kronikës së Alsat, punonjësit e Higjinës njoftuan se kanë marrë pagat.

The post Ende asnjë epilog nga inspektimet në Ndërmarrjen “Higjiena Komunale” lidhur me gjendjen e rëndë me mbeturinat në kryeqytet appeared first on Alsat.