Gazetar: Bashkim Sulejmani

Edhe pse punimet për ndërtimin e shkollës në fshatin Sellcë të Tetovës kanë filluar tanimë tre vite, megjithatë, ende nuk ka përfunduar as faza e parë e ndërtimit.  Nga sektori për arsim në komunën e Tetovës, për Alsat shprehen optimist se sivjet fëmijët do mund t’i gëzohen shkollës së re.

“Ka qenë problematike përfundimi i fazës së parë dhe e dini se si procedurë është nisur më herrët, por normal që me përfundimin e fazës së parë, menjëherë janë alokuar mjetet edhe për fazën e dytë dhe besoj që problemi që ka qenë është zgjidhur dhe mjetet janë, andaj punimet do të vijojnë edhe për fazën e dytë të përfundimit të objektit. Janë në përgatitje të fazës së dytë dhe normal punimet do vijojnë që objekti vitin e ri shkollor të jetë funksional dhe nxënësit ta shfrytëzojnë objektin e ri shkollor,” deklaroi Nazmi Dauti. Sektori për arsim komuna e Tetovës.

Ndryshe nga sektori për Arsim, drejtori i Shkollës fillore “Rilindja” në Sellcë, thotë se objekti është larg përfundimit.

“Problematike mbetet faza e dytë, fasadimi, terreni sportiv dhe një mur mbajtës. Ku ka ngec puna se di. Sivjet kanë ndarë një pjesë të mjeteve por sa do arrijnë ti mbulojnë punimet që bëhen nuk e kam të qartë. Por në bazë të dinamikës së punës, sivjet nuk do mund të hyjmë në objektin e ri. Ne mësojmë dhe punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ka një infrastrukturë të vjetërsuar, e ndërtuar në vitin 1954 me gurë dhe llaç por edhe konfiguracioni është tepër i rrezikshëm, pra është shumë rrezik por jemi të detyruar të punojnë,”tha Muhamer Asani. Drejtor i Sh F “Rilindja”.

Ndryshe, në shkollën fillore “Rilindja” të fshatit Sellcë, në një objekt të vjetër mbi 70 vjet dhe në gjendje tejet të vështirë, mësimin e ndjekin 230 nxënës. /Alsat.mk

The post Ende nuk ka përfunduar ndërtimi i shkollës në Sellcë të Tetovës, edhe pse punimet kanë filluar prej vitesh appeared first on Alsat.