Kaluan 1 muaj që kur Orce Gjeorgjievski u bë kryetar i Qytetit të Shkupit, ndërsa ende nuk ka marrëveshje me VLEN-in për ndarjen e drejtorive që janë nën ombrellën e këtij institucioni. Derisa negociatat po zvarriten, Gjeorgjievski veçmë po emëron drejtues nëpër Ndërmarrjet Publike dhe asnjëri prej tyre nuk është nga radhët e VLEN. Deri tani pa ushtrues detyre prej ndërmarrjeve të rëndësishme ka mbetur vetëm NP Parqe dhe Gjelbërime. Por nga VLEN thonë se emërimet e deritanishme nuk janë përfundimtare, por vetëm ushtrues detyre.
“Emërimet që kanë ndodhur deri tani janë vetëm emërime si U.D. dhe në momentin që do të ketë marrëveshje politike mes koalicionit VLEN dhe VMRO, emrat të cilët do t’i propozojë koalicioni VLEN që i kanë takuar sipas marrëveshjes, do t’i zënë vendet e tyre nëpër ato ndërmarrje”, tha Driton Sulejmani.
Por pse po zvarriten kaq shumë negociatat dhe a ka mospajtime për ndarjen e drejtorive?
“Arsyet e zvarritjes për emërime të caktuara janë për shkak se jemi duke tentuar që të tregohemi të kujdesshëm që shqiptarët e Qytetit te Shkupit të kenë një përfaqësim sa më të mirë dhe për këtë arsyeje nuk po ngutemi edhe me emërime, sepse dëshirojmë të kemi një marrëveshje sa më të mirë, që të kemi një përfaqësim dinjitoz dhe të mos na përsëriten problemet të cilat kanë qenë prezentë gjatë 4 viteve të kaluara”, deklaroi Sulejmani.
Qyteti i Shkupit deri tani ka emëruar ushtrues detyre në NP Ujësjellës e Kanalizim, NP Higjiena Komunale, Rrugë dhe Rrugica, NQP, Drislla dhe Parkingu i Qytetit.
