Erblin Osmani zgjedh Kosovën. 17-vjeçari që është pjesë e akademisë së Bayern Munich ka vendosur të përfaqësojë “Dardanët” në arenën ndërkombëtare, pasi ka marrë edhe pasaportën kosovare.
Mesfushori defensiv ka qenë pjesë e Gjermanisë U-17, por tani ka vendosur të ndryshojë përfaqësuese. Vendimi i tij është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti.
Osmani, i lindur dhe i rritur në Mynih, është pjesë e akademisë së Bayern Munich që nga viti 2017. Ai ka kaluar grupmoshat e klubit bavarez dhe në mars të këtij viti debutoi edhe me ekipin e parë në Bundesligë, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit.
Me këtë zgjedhje, Osmani shihet si një afrim i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ndërsa mbetet e paqartë nëse Federata Shqiptare e Futbollit ka shfaqur interes për ta afruar talentin me Kombëtaren shqiptare.
