Erkan Arifi: Po sigurojmë ujë të pijshëm për të gjithë banorët e Komunës së Likovës

Një nga shqetësimet më të mëdha të banorëve të Komunës së Likovës mbetet furnizimi me ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Në lidhje me këtë temë, në emisionin “Debat me Fakte”, foli kandidati dhe kryetari aktual i komunës, z. Erkan Arifi.

Z. Arifi bëri të ditur se tashmë ka nisur procesi i kyçjes së banorëve në sistemin rajonal të ujësjellësit, nga i cili furnizimi me ujë bëhet nga Penda e Gllazhnës. Ai theksoi se kyçja është në fazë implementimi në disa fshatra, përfshirë Likovën, Orizaren dhe Sllupçanin, ndërkohë që në total 11 fshatra janë të përfshirë në këtë projekt kapital.

“Jemi në fazën e kyçjes, dhe u kemi bërë apel qytetarëve që të dorëzojnë kërkesat e tyre për t’u kyçur në sistemin e ujësjellësit. Vetëm përmes bashkëpunimit mund ta përmbyllim me sukses këtë proces,” u shpreh Arifi.

Ai foli edhe për sfidat e realizimit të projektit, duke theksuar se territori i komunës së Likovës, me një sipërfaqe prej 280 kilometrash katrorë, është shumë i shtrirë dhe me vendbanime të shpërndara, gjë që ka krijuar vështirësi logjistike dhe teknike gjatë implementimit.
Gjithashtu, kryetari Arifi përmendi investimet në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e komunës, si dhe ndërtimin e rezervuarëve, që kanë për qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm, të pastër dhe të sigurt për të gjithë qytetarët./FaktiDitor.info