
Në muajin Shkurt të këtij viti janë dhënë 244 leje për ndërtim, që është për 10,3 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e lejeve, 173 janë për ndërtime të larta, ndërsa është paraparë ndërtimi i 309 banesave, tregojnë të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikës.
Numër më i madh i lejeve janë dhënë në Rajonin e Pollogut, 84, pas çka vijojnë ai i Shkupit me 57, Juglindor, 33, Rajoni Lindor, 21,…
Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 14.476.578.000 denarë, që është për 195,4 më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Rritja e vlerës vjen si rezultat i faktit se në periudhën referuese është lëshuar leje ndërtimi për park me erë për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme me kapacitet deri në 132 MW, në territorin e Komunës së Shtipit, Komunës së Radovishit dhe Komunës së Karbincit.
Nga numri i përgjithshëm i lejeve të dhëna për ndërtim 173 ( 70,9 për qind) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 25 ( 10,2 për qind për objektet e ndërtimit të ulët dhe 46 ( 18,9 për qind) për objektet për rikonstruim.
Në periudhën raportuese është paraparë ndërtimi i 309 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme prej 36 919 metra katrorë. Në Rajonin e Shkupit do të ndërtohen 138 banesa, në rajonin e Pollogut 83, në atë Juglindor, 28, në Rajonin Jugperëndimor, 27,…
Nga gjithsej 244 objekte, tek 174 ( 71,3 për qind) si investitorë na paraqiten persona fizik, ndërsa tek 70 (28,7 për qind) të objekteve si investitorë janë subjektet afariste.
