Gazetare: Melihate Rustemi
Ndryshe nga opozita, Kryeministri Hristijan Mickoski nuk mendon se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për situatën me epideminë e etheve të Nilit Perëndimor. Mickoski thotë se nuk ka pasur vonesa në procesin e spërkatjes kundër mushkonjave dhe se aktivitetet janë ndërmarrë në kuadër të protokolleve.
“Të gjitha komunat, në kuadër të protokollit të rregullt, e kanë përfunduar atë aktivitet, spërkatjen. Kështu që unë nuk do të mund të them se dikush nuk e ka bërë atë apo e ka bërë, por fakt është se këtë vit jemi mbi mesataren kur bëhet fjalë për këtë lloj sfide me të cilën po përballemi ne dhe, do të thosha, në mënyrë të kushtëzuar, të gjitha vendet mesdhetare. Këtu janë Italia, Spanja, ku, për fat të keq, numri i personave që kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor llogaritet në qindra”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndërkaq LSDM-ja përsëriti akuzat se institucionet shëndetësore kanë reaguar me vonesë dhe se spërkatja kundër mushkonjave nuk është bërë në kohë. Nga LSDM-ja thonë se sistemi për parandalimin, mbrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat nuk funksionon dhe se përgjegjësinë për situatën duhet ta mbajnë institucionet kompetente.
“Maqedonia është në vendin e parë në Evropë për nga numri i të prekurve në raport me numrin e banorëve, përpara vendeve si Italia, Greqia dhe Rumania. Qeveria e Mickoskit nuk ka kapacitet për të parandaluar dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi kriza përshkallëzohet. Madje as kundër mushkonjave nuk spërkasin në kohë, dhe në këtë drejtim u vonua edhe Orce Gjorgjievski. Sistemi për parandalimin, mbrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat nuk funksionon”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se deri më 1 shtator janë regjistruar 56 raste të etheve të Nilit Perëndimor. 52 raste janë të konfirmuara, ndërsa 4 janë të mundshme. Deri në këtë datë, 7 persona kanë humbur jetën. Sipas të dhënave të ISHP-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Shkup, ndërsa raste janë evidentuar edhe në Veles dhe Kumanovë. Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Përballë rritjes së rasteve, mbetet çështje për t’u verifikuar nëse masat për kontrollin e mushkonjave janë zbatuar në kohë dhe në mënyrë të mjaftueshme në të gjitha komunat. /Alsat.mk
The post Ethet e Nilit Perëndimor: Qeveria thotë se masat janë ndërmarrë, LSDM akuzon për dështim appeared first on Alsat.
