Në ceremoninë “Laureatët 2025”, të mbajtur të premten, është prezantuar edhe një vendim shumë i rëndësishëm i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Eugen Saraçini, që deri para një viti e udhëhoqi me sukses të plotë FHK-në, është nderuar me titullin më të lartë të federatës, atë “President Nderi”.

Saraçini ishte për tri mandate, aq sa edhe lejohen, në krye të shtëpisë kosovare të hendbollit. Nën udhëheqjen e tij u arritën suksese të mëdha, si pranimi me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit dhe në Federatën Evropiane të Hendbollit. Po ashtu u siguruan kualifikime historike në dy Kampionate Botërore, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet tona bënë përparim të madh.

Kontributi i Saraçinit në zhvillimin, avancimin dhe promovimin e hendbollit kosovar vlerësohet shumë i madh. Rrjedhimisht u vendos që ai prej të premtes të jetë President Nderi i Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Saraçini aktualisht është edhe anëtar i Bordit të FHK-së.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka folur për kontributin e Saraçinit. Ndërkohë bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, kanë shpallur solemnisht Saraçinin si President të Nderit të FHK-së.