Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për juniorë dhe U-23, aktivitet që po zhvillohet në Durrës që prej datës 28 tetor.
I fundit që u ngjit në pedanën e montuar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” ishte Ertjan Kofsha, i cili garoi mesditën e së dielës në peshat 94 kg për juniorë. Ndonëse nuk arriti që të shpallej kampion, që ishte edhe objektivi i deklaruar, Kofsha la gjurmë në këtë eveniment të rëndësishëm, duke fituar dy medalje bronzi dhe duke vendosur rekorde momentale europiane për moshën e tij në kategorinë e re të peshave. Një garë shumë e fortë dhe me emocione, në të cilën shtangisti shtërmenas e tha fjalën e tij, duke u ngjitur dy herë në podium.

Me Kofshën mbyllet edhe përfaqësimi i Shqipërisë në Europianin e të rinjve, ku protagonistja absolute e kombëtares së Shquipërisë ishte pa diskutim Enkileda Carja. Sportistja e Teutës, e cila stërvitet nga trajnerja Eglantina Çuni, fitoi tripletë medaljesh ari në peshat 63 kg për juniorë. Kështu Shqipëria arriti që të fitonte 5 medalje gjithsej në Euripian, tri të arta me Carjen dhe dy të bronzta me Kofshën.
The post Europiani i shtangës, Ertjan Kofsha arkëton 2 medalje bronzi appeared first on Alsat.

