Transmetuesi austriak i cili do të jetë nikoqir i edicionit të vitit të ardhshëm të garës evropiane të këngës “Eurovision” nuk do t’ua ndalojë spektatorëve mbajtjen e flamujve palestinezë e as nuk do të heshtë fishkëllimat e mundshme gjatë performancës së Izraelit.

Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me edicionet e kaluara.

Në “Eurovisionin” e ardhshëm, që do të shënojë 70-vjetorin në Vjenë, deri tash pritet të marrin pjesë 35 shtete, që është numri më i vogël që nga viti 2004, kur gara u zgjerua.

Pesë vende, përkatësisht transmetues, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në “Eurovision 2026” pasi u mor vendim që Izraelit t’i lejohet të garojë. Këto janë: Spanja, Sllovenia, Holanda, Islanda dhe Republika e Irlandës.

Gara, e menduar si një festë e muzikës, paqes dhe diversitetit, është shndërruar në përplasje diplomatike.

Vendet që po bojkotojnë kanë thënë se do të ishte e papranueshme të merrnin pjesë duke pasur parasysh numrin e civilëve të vrarë në Rripin e Gazës gjatë luftës dyvjeçare izraelite me Hamasin.

Lufta më e fundit u shkaktua nga një sulm i papritur i grupeve ekstremiste palestineze, të udhëhequra nga Hamasi, në jug të Izraelit më 7 tetor 2023. Lufta u ndal me një marrëveshje armëpushimi rreth dy muaj më parë. Izraeli ka hedhur poshtë akuzat për krime, duke pretenduar se ka synuar të minimizojë viktimat civile ndërsa luftonte kundër një armiku të vendosur kryesisht në objekte joushtarake.

“Do t’i lejojmë të gjithë flamujt zyrtarë që ekzistojnë në botë, nëse janë në përputhje me ligjin dhe në formë të përcaktuar – madhësia, rreziqet e sigurisë e të ngjashme”, ka thënë Michael Krön, producent ekzekutiv i “Eurovisionit”, në një konferencë për shtyp të organizuar nga transmetuesi austriak ORF.

“Nuk do të zbukurojë asgjë dhe as nuk do të shmangim të tregojmë atë që po ndodh, sepse detyra jonë është t’i paraqesim gjërat ashtu siç janë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu nuk do të heshtin nëse do të ketë fishkëllima nga publiku, siç ndodhi në vitin 2025 gjatë performancës së Izraelit, citohet të ketë thënë drejtoresha e programeve të ORF-së, Stefanie Groiss-Horowitz. “Nuk do të transmetojmë duartrokitje artificiale, të regjistruara, gjatë performancave në asnjë moment”, ka thënë ajo.

Në “Eurovizionin 2025”, Izraeli u përfaqësua nga këngëtarja Yuval Raphael, e cila i mbijetoi sulmit të ekstremistëve palestinezë ndaj vizitorëve të festivalit muzikor “Nova”, pranë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës. Gjatë atij sulmi, ekstremistët palestinezë vranë më shumë se 360 persona.

Drejtori i përgjithshëm i transmetuesit izraelit i ka krahasuar përpjekjet për ta përjashtuar Izraelin nga “Eurovizioni” 2026 me një “bojkot kulturor”.Ndjenjat anti-izraelite kanë shënuar dukshëm dy “Eurovisionet” e fundit, por kanë nxitur edhe reagim te shikuesit pro-izraelitë, të cilët u mobilizuan për të votuar për këngëtaren Eden Golan në vitin 2024 dhe Yuval Raphael në vitin 2025. Eden Golan madje ka marrë edhe kërcënime me vdekje.

Të dyja u renditën lart, ndërsa Rafael luftoi deri në momentin e fundit për fitoren me këngëtarin austriak JJ.

Anëtarët e Unionit Evropian të Radiodifuzionit (EBU) vendosën në fillim të dhjetorit të mos e përjashtojnë Izraelin nga gara.

Gjatë konferencës së EBU-së, anëtarët e saj me shumicë dërrmuese votuan për ndryshime në garë, kryesisht lidhur me sistemin e votimit, pasi kishte mendime se Izraeli ishte favorizuar.

Votimi për ndryshimet e rregullave të garës u interpretua si një referendum de facto për Izraelin, sepse transmetuesve kombëtarë u ishte thënë se votimi për pjesëmarrjen e Izraelit do të mbahej vetëm nëse reformat nuk merrnin mbështetje shumice.

Meqë ndryshimet u miratuan, votim për pjesëmarrjen ose përjashtimin e Izraelit nuk pati fare.
ORF dhe qeveria austriake ishin ndër mbështetësit më të mëdhenj të pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e vitit të ardhshëm.

Drejtori i përgjithshëm i ORF-së, Roland Weissmann, vizitoi Izraelin në nëntor për të shprehur mbështetje. Vendimi që Izraeli të mbetet në garë ka shkaktuar zemërimin e shumë adhuruesve të “Eurovisionit”, si edhe të disa ish-pjesëmarrësve.

Fituesi i “Eurovisionit 2024”, zvicerani Nemo, kishte thënë se do ta kthejë trofeun në shenjë proteste kundër vendimit që Izraeli të mbetet në garë, njësoj siç kishte paralajmëruar edhe irlandezi Charlie McGettigan, fitues i vitit 1994.