Familja e të ndjerës tragjikisht Teodora Ristova, përmes një letre të hapur për opinionin, tha se presin reagim adekuat nga Këshilli Gjyqësor lidhur me siç thonë ata, vendimin skandaloz dhe të turpshëm të gjykatësit nga Tetova, Eljvedin Ferati. Ai të hënën shqiptoi dënim me 2 vjet burg për të akuzuarin Mensur Pajaziti, i cili e goditi për vdekje  22-vjeçaren Teodora në një vendkalim për këmbësorë në Tetovë.

“Dyshojmë se pas këtij vendimi qëndron politika, ryshfeti dhe korrupsioni. Ne do të vazhdojmë të luftojmë fuqishëm për drejtësi për Teodorën. Gjithashtu duam të pyesim publikisht se pse nisma si “Kush e ka radhën” nuk kanë shfaqur asnjë interes për rastin tonë dhe vetëm gjoja po luftojnë kundër sistemit të kalbur e të korruptuar. Edhe një herë falënderojmë publikisht kryeministrin Mickoski për mbështetjen e qartë dhe të sinqertë”, thuhet në letrëne hapur nga familja e Teodorës.

Pas publikimit të aktgjykimit, kryeministri Mickoski tha se është thellësisht i zhgënjyer nga ulja e dënimit dhe i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor që të shqyrtojë punën e gjykatësit Ferati. Menjëherë në Këshill është formuar grupi punues, i cili tashmë ka inspektuar procedurën, konfirmoi kryetari i këtij organi, Aleksandar Kambovski.

“Grupi punues e mbaroi punën e tij, është dorëzuar informacion deri te kryetari, megjithatë ende nuk kisha mundësi për ta lexuar atë informacion dhe menjëherë do të publikohet për të gjithë opinionin. Lënda do të kthehet në gjykatë”, tha Aleksandar Kambovski.

Pas kësaj deklarate të Kambovskit, Këshilli gjyqësor doli me njoftim ku thuhet:

“Sipas nenit 428 nga Ligji për procedurë penale, nëse është dorëzuar ankesë vetëm në dobi të të akuzuarit, aktvendimi nuk guxon të ndryshohet në dëmin e tij në aspekt të vlerësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal”, tha Këshill Gjyqësor

Me reagim dolën edhe gjykatësit e Degës së gjykatësve të gjykatës themelore në Tetovë, në mbrojtje të gjykatësit.

“Në një situatë kur me kërkesë të të akuzuarit, Gjykata Supreme ka anuluar aktgjykimet dhe e ka kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk mund të ndryshohet në dëm të të akuzuarit, edhe në aspektin e cilësimit juridik të veprës penale. Gjykatësit e Gjykatës Themelore në Tetovë kanë vepruar vetëm në përputhje me normat e parapara ligjore, andaj apelojmë tek të gjitha palët e interesuara në shoqëri që të përmbahen nga komentet e paarsyeshme dhe të mos e përdorin këtë aktgjykim për sulme të pabaza ndaj gjykatësve”, tha dega e gjykatësve të Gjykatës Themelore Tetovë

Të hënën gjykatësi Ferati e dënoi me 2 vjet burg vozitësin Mensur Pajaziti i cili në gusht 2022 e goditi për vdekje me veturën e tij Teodorën e cila e ka kaluar rrugën në vendkalim për këmbësorë.