Fatmir Dehari: Përgjimet me përmbajtje seksuale dhe korruptive janë të montuara

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i ka cilësuar si të montuara përgjimet të cilat ditëve të fundit qarkullojnë në rrjetet sociale, ku dëgjohet një zë i cili thuhet të jetë Dehari, të cilat janë me përmbajtje eksplicite, seksuale, korruptive, ofendime, sharje dhe të tjera. Portalb në mënyrë të pavarur nuk ka mundur t’i verifikojë përmbajtjet.

Edhe pse i pakapshëm për Portalb.mk dhe për media tjera, Dehari sot përmes një reagimi në rrjetin e tij Facebook ka thënë se materialet e publikuara janë të montuara dhe të manipuluara.

“Po përballem me një fushatë të ulët shantazhi dhe manipulimi, e cila synon të dëmtojë personalisht dhe politikisht figurën time. Në këtë fushatë përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta, që cenojnë jetën time private dhe përpiqen të prishin marrëdhëniet me njerëzit e mi të afërt dhe me qytetarët që më njohin prej vitesh”, tha Dehari.

Ai tha se këto veprime janë të orkestruara me motive të qarta politike dhe personale.

“Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të mbrojtur dinjitetin tim, familjen time dhe institucionin që përfaqësoj… Me dinjitet dhe qetësi ,vazhdoj punën për Kërçovën”, tha Dehari.

Këto përgjime janë publikuar ditëve të fundit në profilin në Facebook, El Cheka (Sheqerim Ahmedi), i cili ka publikuar edhe në të kaluarën përgjime të funksionarëve të BDI-së.

“Ai përgjuesi që është gjetur në komunë më ka kushtuar 20-mijë dollarë për ta futur për të incizuar Don Zhuanin si sillet me punëtoret”, ka shkruar mes tjerash në një postim në Facebook, El Cheka.

Nga Prokuroria Themeloe Publike konfirmuan për Portalb.mk se “në Prokurorinë Themelore në Kërçovë nuk është dorëzuar asnjë paraqitje apo informacion lidhur me ngjarjen”.

Ministria e Brendshme për Portalb.mk tha se “deri në këtë moment nuk ka paraqitje në SPB Ohër ngjarje të tillë”.

Nga BDI kanë reaguar duke i cilësuar këto publikime si shpikje dhe montime.

“Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit”, thanë nga BDI.

Nga VMRO-DPMNE thanë se BDI duhet të ndalojë së mbrojturi Deharin dhe viktimat të marrin mbrojtje.

“Nuk është çështje etnike, por morale dhe penale. BDI po përpiqet ta shndërrojë skandalin me Fatmir Deharin në një histori etnike. Kjo nuk është shqiptarë kundër maqedonasve. Ky është abuzues ndaj viktimave. Kjo është çështje dinjiteti, ligji dhe përgjegjësie, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare”, thanë nga VMRO–DPMNE.

VLEN ka thënë se kjo situatë e degradon imazhin e institucionit dhe moralin publik.

“Ky është vetëm reflektim i kulturës politike që për 20 vite ka mbytur përgjegjësinë dhe ka ngritur turpin në standard”, thanë nga VLEN.

Ndryshe, Fatmir Dehari kandidon për mandatin e katërt si i pari i Kërçovës në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.