Fatmir Limani paralajmëron largimin e VLEN-it nga Qeveria me thënie të Albin Kurti-t dhe me derën mbyllur me çelsa?

Fatmir Limani, ministër nga radhët e Lëvizja BESA, ka paralajmëruar në mënyrë të tërthortë largimin e VLEN-it nga qeveria.

Në një status të tij, ai ka përdorur në formë metaforike disa thënie të atribuara kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti:

“Rrini urtë, bre…”

“Jo, s’rrijmë!”

“Rrini urtë…”

“Jo, se jemi të fortë!”

“Ani… rrini, pra, pas dere ;)”

Me këtë mesazh, Limani lë të kuptohet se VLEN-i mund të përfundojë “pas dyerve të Qeverisë”, duke sinjalizuar një përplasje të afërt politike.

Kujtojmë se Bilall Kasami dhe Adnan Azizi e shkarkuan Limanin nga kryesia, së bashku me anëtarë të tjerë, me arsyetimin se po i hapet rrugë themelimit të VLEN-it si subjekt i ri politik. Që nga ajo kohë, Limani ka vijuar me kritika të ashpra ndaj Kasamit dhe Azizi­t dhe nuk ka marrë pjesë në takimet e VLEN-it, përcjell TS.

Nga ana tjetër, Fatmir Limani u emërua ministër nga kryeministri Hristijan Mickoski ku sipas disa informacioneve nuk ka pasur miratim të drejtpërdrejtë nga strukturat e VLEN-it apo edhe nga Kasami.

Situata mbetet e paqartë edhe për të ardhmen e koalicionit VLEN. Deri më tani, tri parti janë shkrirë në kuadër të VLEN-it, ndërsa pritet të shihet nëse Bekim Sali do të ndërmarrë të njëjtin hap me Alternativën. Nëse kjo ndodh, VLEN-i pritet të funksionojë me dy kryetarë Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti si dhe disa nënkryetarë, model që thuhet se është propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ngjashëm me partinë GUXO në Kosovë.

Ndryshe kryeministri Mickovski ka paralajmëruar rikonfigurim të qeverisë në muajit maj-qershor nëse do të mbetet me VLEN-in në koalicion apo do të ndryshojë komplet qeverinë?/TS/