Një nga amendamentet që ka paraqitur Fronti Evropian dhe për të cilin u hap debat i gjerë është se si do të përcaktohet përkatësia etnike e qytetarëve. Ata kërkojnë që qytetarëve t’u lëshohet vërtetim nga Enti Shtetëror i Statistikës për përkatësinë e tyre etnike, sepse, siç thanë, kjo nuk është e rregulluar fare. Në debat, deputetët kërkuan të ketë zgjidhje më të qarta ligjore dhe një ligj me të cilin do të ketë përfaqësim të vërtetë të drejtë dhe adekuat.

“Ne mendojmë se ky ligj nuk është i përgatitur për t’u miratuar dhe aprovuar, por meqë ju jeni shumicë dhe insistoni të sillni një ligj të tillë, së paku duhet të bëni një shqyrtim më të thellë të këtij ligji, një debat më të gjerë rreth këtij ligji dhe të ofroni zgjidhje më të qarta ligjore para se të miratohet, sepse kur bëhet fjalë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ne nuk kemi të drejtë të miratojmë ligje të paqarta dhe të pasigurta”, tha Dijana Toska nga Fronti Evropian.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë, nuk mund të pranojmë që një përcaktim kushtetues të zëvendësohet me një dëshirë politike. Nuk mund të pranojmë që barazia të zëvendësohet me interpretim ashtu siç duan këta nga VLEN. Nuk mund të pranojmë që garancitë të zëvendësohen me deklarata dhe propagandë”, u shpreh Rina Ajdari nga Fronti Evropian.

Deputetja e VLEN-it, Imërlije Saliu Fetai, në foltore doli me dokumente me të cilat pretendon se pikërisht ministra të BDI-së në qeverinë e mëparshme janë pajtuar për heqjen e “Balancuesit”. Ndërsa kolegia e saj, Valbona Adili Emini, tha se ligji ka rregulla të qarta.

“Të nderuar kolegë dhe deputetë, këtu është Kreshnik Bekteshi, ministër i Bashkimit Demokratik për Integrim i cili ka dhënë mendim pozitiv për heqjen e “Balancuesit”. Këtu është edhe Bujar Osmani, gjithashtu ministri juaj, këtu e kemi edhe Fatmir Mexhiti dhe këtu e kemi edhe Jeton Shaqiri e kështu me radhë. Pra mendimin pozitiv për heqjen e një mekanizmi si “Balancuesi” e keni dhënë ju dhe mendoj se jeni pajtuar me një veprim të tillë”, potencoi Imërlije Saliu Fetai nga VLEN.

“Është mirë të formulohen mekanizma më të mirë, megjithatë është krejt tjetër të kundërshtohet avancimi vetëm sepse vjen nga kundërshtari politik. Ligji që është para jush me një histori të gjatë rregullon mekanizmat bazë të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat pa u përplasur me Kushtetutën. Ai është kundër keqpërdorimeve dhe vendos rregulla të qarta në bazë të dokumenteve personale”, theksoi Valbona Adili Emini nga VLEN.

Amendamentet e dorëzuara u hodhën poshtë edhe nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, i cili këtë herë shpjegoi pse i konsideron të papranueshme.