Në emisionin “Robin Hud”, Pajtim Zeqiri nga “Terre des hommes-Kosovo” tha se shumica e fëmijëve me gjendje rruge në Kosovë, nxiten që të kërkojnë lëmoshë nga prindërit e tyre. Zeqiri tha se sa i përket kësaj dukurie, duhet të punohet në rritje të vetëdijes te këta familje.
“Në Kosovë, për dallim prej vendeve të tjera të rajonit, shumica e fëmijëve që janë në situatë rruge, fatkeqësisht detyrohet të dalin prej vet prindërve, dmth janë prindërit ata që i nxisin të kërkojnë lëmoshë, ose t’i pastrojnë xhamat e veturave, ose forma të tjera të kërkim-lëmoshës”, theksoi Zeqiri.
“Ai shton se gjatë bashkëbisedimeve me prindër të fëmijëve me situatë rruge, ata ankohen që skemat sociale nga shteti nuk iu mjaftojnë për ekzistencë. Ata dmth pyetjen e parë që na parashtrojnë neve, okm nëse jo në situatë rruge, çfarë të bëjmë, ku t’i marrim të ardhurat, për shkak se skema sociale që është e aplikueshme për momentin në Kosovë, është e pamjaftueshme që t’i sigurojmë të hyrat elementare për ekzistencë”, pohoi Zeqiri.
Në ora 12:05 në TV21 mund të ndiqni episodin e plotë të serialit rajonal “Robin Hud”, kur në bashkëpunim me kolegë nga Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut trajtojmë temën “I detyrojnë fëmijët që të kërkojnë lëmoshë, pastaj ua marrin paratë”.
