Policia dhe inspektorati komunal sot hyri në shkollën fillore “7 Marsi” të fshatit Çellopek.

Kjo për shkak të veshjes së fëmijëve në shfaqjen e festës së 28 nëntorit, me uniforma të UÇK-së dhe mbajtjes së armëve plastike në duar.

Drejtori i shkollës tha se shfaqja ishte e zakonshme dhe nuk ka pasur kurrfarë tendence për përçarjeje apo nxitjen e tensioneve ndëretnike.

JASIN REKA – DREJTOR I SH.F.”7MARSI” ÇELLOPEK

“Shfaqje e fëmijëve asgjë më tepër, nuk ka pasur prapavijë as politike as të përcjellim ndonjë mesazh ndarjeje apo luftë mos dashtë Zoti. Thjesht ishte shfaqje manifestim për fëmijët për shënimin e datave historike të shqiptarëve që festohen në gjitha shkollat e trojeve shqiptare. Flas nga prizmi i udhëheqësit të institucionit dhe me shumë të drejtë e them dhe me shumë vlerë për kohezionin në shkollën tonë si nga prindërit të punësuarit nxënësit dhe gjithë komuniteti që marrëdhëniet janë të shkëlqyera, kanë qenë dhe do jenë edhe në të ardhmen. Në rajon jemi shembull i kohezionit ndëretnik”, tha Jasin Reka – drejtor i SHF “7 Marsi” Çellopek.

Reagoi edhe shefi i Sektorit të Arsimit në komunën eBërvenicës dhe Kryetari i Komunës.

“Vërtetë ndoshta nuk është dashur të ndodh ajo por ka ndodhur sipas mendimit tim rastësisht. Marrëdhëniet ndëretnike janë të mira tek ne me vite, këta nxënës të kësaj shkolle maqedonase gati tre muaj mësojnë në Çëllopek, kështu që do ishte mirë të mos rriten tensionet. Absolutisht nuk ia vlen të merren me këtë por ka ndodh shkaku i rasteve tjera që gjithë i dimë dhe e përdorin këtu për t’i ngritur tensionet. Po përdoret maksimalisht politikisht rasti. Unë nuk dua të paragjykoj por dihet vijnë zgjedhjet lokale dhe rriten tensionet sepse dihet që nga sistemi njerëzit e arsimit i kanë paguar këto gjëra shtrenjtë”, tha Xhelal Ahmeti – përgjegjës për arsim në Komunën e Bervenicës.

“Kjo shfaqje e fëmijëve e këtij lloji nuk përkrahet nga komuna por assesi nuk duhet të merren masa ndaj dikujt sepse kemi kohezion shumë të mirë, me drejtorin me shkollën. Me muaj nxënësit e Bërvenicës janë me mësime në Çellopek dhe janë pranuar shumë mirë pa problem. Që kur jam kryetar unë marrëdhëniet janë shumë të mira dhe tani nuk duhet të ngrisim tensione për një shfaqje të thjeshtë”, u shpreh Jovica Ilievski – Kryetar i Komunës së Bërvenicës.

E gjithë ngjarja ka filluar me manifestimin e festave të nëntorit me rastin e të cilave fëmijët e klasave të treta kanë dhënë edhe një shfaqje për prindërit dhe publikun, në mesin e të cilës, një recitim i një poezie është shoqëruar me tre fëmijë të veshur me tesha me amblemin e UÇK-së, të cilët kanë qëndruar pas nxënësit që recitonte.