Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sonte ka zhvilluar takim pune me kryesinë e SPB Shkup si dhe ka vizituar disa nga nëpunësit policor në terren të cilët në prag të festës së Vitit të Ri janë të ngarkuar të kujdesen për sigurinë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Një falenderim i madh për policinë e Maqedonisë, për çdo polic që aktualisht nuk është me familjen e tij në shtëpinë e tij, por është në terren në mesin e qytetarëve të Maqedonisë në vendet ku festohet nata e ndërrimit të viteve. Përveç policëve të të gjithë sektorëve që janë në terren, kemi policë nga policia e trafikut si në SPB Shkup ashtu edhe në të gjitha drejtoritë tjera të Punëve të Brendshme në Maqedoni. Jemi të pranishëm dhe kontrollojmë, ne do të jemi vigjilentë si polici e Maqedonisë dhe shfrytëzoj rastin për të dërguar një apel për të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht për ata që do të festojnë dhe do të konsumojnë alkool këtë mbrëmje, për të mos drejtuar automjetet, si dhe të mos përdoren mjete piroteknike që mund të shkaktojnë lëndime”, potencoi Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.

Gjithashtu Toshkovski thotë qytetarët të ndihen të sigurt, dhe festën e fundvitit ta kalojnë në një atmosferë të këndshme dhe të festojnë të qetë.