Ndonëse nuk mori pjesë në iftaret e organizuara nga ASH-ja, e ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa munguan në mbledhjen e Kuvendit për themelim, Arben Fetai ka mohuar zërat për mosmarrëveshje e ndarje të partisë, shkruan TV21.
Fetai tha se nuk ka grupe në Aleancë, por siç tha Kuvendi unanimisht vendosi për shkrirje te strukturave. Tutje Fetai tha se Kuvendi e autorizoi për të udhëhequr negociatat për krijimin e VLEN-it si një subjekt i vetëm politik.
“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe nuk ka grupe në Aleancë.
Si Aleancë e Re, me unanimitet kemi marrë vendimin për shkrirje te strukturave dhe jam autorizuar për të udhëhequr negociatat në nivel lidershipi për krijimin e VLEN-it si një subjekt i vetëm politik”, tha Fetai.
Pavarësisht se nuk komentoi mungesën e Fetait në iftarin në Tetovë, Azir Aliu mes fjalësh tentoi ta paraqiste Aleancën të bashkuar e pa mosmarrëveshje brenda që siç tha “uroj që bashkimi të vazhdojë me këtë vrull që ka filluar” duke shtuar se “Idetë për bashkim çdo herë janë më të forta se përçarjet që të çojnë në ndarje”.
