Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se problemi më i madh në rajon është politika ekspansioniste e Izraelit, ndërkaq theksoi se ka dy arsye pas kësaj politike, transmeton Anadolu.
“Së pari, qëllimi i Izraelit për të zgjeruar territorin e tij për të krijuar Izraelin e Madh. Së dyti, përpjekja e tij për të dobësuar dhe copëtuar vendet rajonale, veçanërisht fqinjët e tij”, tha Fidan në një intervistë me Al Jazeera dhe Qatar TV.
Komentet e tij erdhën pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm që synonte përcaktimin e agjendës për samitin e jashtëzakonshëm të përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Ligës Arabe.
“Siria, ndër të tjera, është një vend i tillë. Ne jemi në kontakt të ngushtë edhe me ato vende, Libanin, Egjiptin, Jordaninë dhe sigurisht Sirinë”, tha Fidan, duke shtuar se Turqia po monitoron nga afër sulmet që shënjestrojnë Sirinë.
“Në thelb, plani rajonal i Izraelit filloi me pushtimin e tokave palestineze. Me kalimin e kohës, kjo çështje ka evoluar. Sot, nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e tokave palestineze ose gjenocidin në Gaza, por edhe për ekspansionizmin e Izraelit që përbën një kërcënim të madh për vendet rajonale”, tha Fidan.
Fidan kërkoi nga bota që të përqendrohet në sulmet dhe pushtimet e fundit të Izraelit që synojnë vende të tjera arabe dhe islamike, duke përmendur si shembull, sulmin e fundit në Doha.
“Ne nuk po përballemi thjesht me një problem palestinez. Ne po përballemi edhe me ekspansionizmin izraelit. Pasi problemi të përcaktohet në këto terma, vendet arabe dhe islamike duhet të bashkohen për të zhvilluar zgjidhje që adresojnë këtë sfidë të sapo përcaktuar”, tha Fidan.
Duke theksuar se sulmet e Izraelit kundër Sirisë që nga epoka e Asadit, Fidan tha se edhe pse sulmet “janë ulur kohët e fundit”, ato ende janë duke vazhduar dhe Ankaraja i sheh zhvillimet e fundit në jug të Sirisë si “veçanërisht të rrezikshme”.
“Ne besojmë se provokimi i linjave të ndarjes sociale për të krijuar përçarje në Siri nuk do t’i sjellë dobi as Sirisë dhe as rajonit”, shtoi ai.
Fidani bëri thirrje që siguria rajonale të vendoset mbi “themele më të forta dhe më institucionale”, duke shtuar se asnjë vend nuk duhet të përbëjë kërcënim për sigurinë e një tjetri.
Duke bërë thirrje për sovranitet dhe siguri rajonale, Fidan kritikoi Izraelin për politikën e tij agresive, e cila është tërësisht e drejtuar kundër këtyre objektivave.
“Prandaj, vendet arabe, vendet islamike dhe komuniteti ndërkombëtar në tërësi do të diskutojnë jo vetëm identifikimin e këtij problemi, por edhe mobilizimin kundër tij. Problemi më i madh në rajon është ekspansionizmi izraelit”, theksoi ministri turk.
