Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) njoftoi se janë shitur më shumë se një milion bileta për Kupën Botërore, e cila do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kërkesa më e madhe për bileta vjen nga tifozët në vendet nikoqire, ndërsa deri tani bileta kanë blerë tifozë nga 212 vende dhe territore të ndryshme. Megjithatë, deri më tani janë të konfirmuar vetëm 28 nga 48 ekipet pjesëmarrëse në turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm.
Sipas FIFA-s, Anglia, Gjermania, Brazili, Spanja, Kolumbia, Argjentina dhe Franca janë ndër 10 vendet kryesore sipas numrit të biletave të blera.
“Ndërsa kombëtaret nga e gjithë bota garojnë për një vend në Kupën Botërore historike, jam i mahnitur nga entuziazmi i tifozëve të futbollit që duan të jenë pjesë e këtij eventi në Amerikën e Veriut. Kjo është një përgjigje e jashtëzakonshme dhe një shenjë e mrekullueshme që Kupa më e madhe dhe më gjithëpërfshirëse në histori po kap imagjinatën e tifozëve”, tha kryetari i FIFA-s, Xhani Infantino.