Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka premtuar mbështetje për rindërtimin e infrastrukturës së futbollit në Gaza, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta. Ai e bëri këtë zotim pas samitit të paqes të mbajtur në Sharm El-Sheikh të Egjiptit, ku morën pjesë mbi 20 udhëheqës botërorë.

“Është shumë e rëndësishme që FIFA të ndihmojë në këtë proces paqeje dhe të japë shpresë përmes futbollit,” tha Infantino. Ai shtoi se organizata do të ndihmojë në rindërtimin e stadiumeve, fushave dhe objekteve të tjera sportive në Gaza, si dhe do të krijojë programe për fëmijët dhe të rinjtë.

FIFA planifikon gjithashtu të krijojë një fond për ndërtimin e mini-fushave dhe një arenë të re “FIFA Arena” në rajon, duke ftuar partnerë ndërkombëtarë të bashkohen në këtë nismë.

Ndërkohë, Federata Palestinaze e Futbollit (PFA) ka kërkuar që FIFA të pezullojë Izraelin, duke akuzuar për diskriminim dhe përfshirje të klubeve në territoret e pushtuara. Çështja ndodhet ende në shqyrtim nga Këshilli i FIFA-s dhe nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar./kp