
LSDM kërkon deklasifikim të menjëhershëm të tërë dokumentacionit nga rasti që pushteti e prezantoi para opinionit si aferë përgjimi, thekson kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe.
„LSDM kërkon deklasifikim të menjëhershëm të tërë dokumentacionit nga rasti që pushteti e prezantoi para opinionit si aferë përgjimi.
Për këtë ekziston një procedurë e qartë përmes së cilës ANB mund t’i bëjë publike të gjitha informacionet dhe dokumentet. Rasti duhet të jetë i qasshëm për opinionin publik në mënyrë që të gjykohet nëse dhe kush e ka keqpërdorur funksionin në shërbimet e sigurisë.
Nëse ANB nuk e bën këtë, atëherë do të jetë e qartë se bëhet fjalë për edhe një përpjekje të pasuksesshme për manipulim. Njësoj siç ishin rastet për disa destabilizime, për ndjekje me dronë, për përpjekje për ryshfet nga kompani të huaja ndaj kryeministrit dhe ngjashëm – për të cilat kurrë nuk u mësua asgjë më tepër.
VMRO-DPMNE po luan me aparatin e sigurisë dhe e përdor për politikë ditore, njësoj siç vepron me të gjitha çështjet e tjera serioze kombëtare.
Kjo është shenjë e politikanëve infantilë dhe partive populiste, interesi i vetëm i të cilëve është si ta largojnë vëmendjen nga problemet me të cilat përballen qytetarët.
Është mirë që tashmë askush nuk u beson këtyre strategjive të shpenzuara nga koha e Nikolla Gruevskit, të cilat tani riciklohen në kushte kur Qeveria nuk ka asnjë rezultat.“ – thuhet në njoftim.