Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi se partia e tij do ta bllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend, pasi siç tha, ligji nuk është as europian e as demokratik. Filipçe paraqiti tre vërejtje kryesore: votimi elektronik i diasporës pa mundësi kontrolli, dobësimi i fshehtësisë së votës dhe kufizimi i ankesave vetëm në ato të shënuara në procesverbal. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i pushtetit është vendosja e një sistemi të kontrolluar votimi, njësoj si në kohën e Nikola Gruevskit.

“Këto tre vërejtje nuk janë as europiane e as demokratike. Justifikim është se pushteti dëshiron ta miratojë ligjin vetëm për të realizuar sa më shumë axhendën reformuese. Kjo nuk është e vërtetë — ata dëshirojnë të vendosin një regjim, dëshirojnë t’i hapin vetes dyer, mundësi dhe instrumente për ta kontrolluar dhe abuzuar procesin zgjedhor.//Këtë ligj ne do ta bllokojmë në Kuvend sepse nuk duhet të miratohet. Sepse qytetarët meritojnë të kenë një proces zgjedhor të drejtë, e jo të kontrolluar si në kohën e Nikola Gruevskit”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe zëvendëskryetar i Kuvendit, Antonio Miloshoski, tha se qëndrimi i Filipçes është vetëm dëshmi se qëllimi i tij kryesor është të kundërshtojë ligjet e axhendës reformuese, për të cilat Komisioni Europian ka dhënë vlerësime të larta.

“Së pari do të doja të theksoj se një njoftim i tillë nga zoti Venko Filipçe është vetëm dëshmi se qëllimi i tij kryesor është të kundërshtojë ligjet që janë pjesë e axhendës reformuese, për miratimin dhe zbatimin e të cilave Komisioni Europian deri tani ka dhënë vlerësime të larta. Gjëja e dytë — mendoj se Venko Filipçe nëpërmjet njoftimit për bllokimin e Kodit Zgjedhor kërkon një justifikim të mundshëm, alibi, për humbjen e ardhshme zgjedhore ose eventualisht për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pavarësisht se kur do të ndodhin”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe sic njoftoi Miloshoski Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor do t’i dorëzohen Kuvendit me të gjitha ndryshimet e harmonizuara sipas rekomandimeve të ODIHR-it, por pa ndryshimet në nenin 76-d që ka të bëjë me mjetet për reklamim zgjedhor. Arsyen e kësaj Miloshoski e lokalizon te partia Levica, anëtarët e së cilës në grupin punues tani refuzojnë të nënshkruajnë ndryshimet që vetë i kishin kërkuar.

Kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev, hodhi poshtë këto akuza dhe tha se për ndryshimet e propozuara nuk është arritur konsensus. Sipas tij, pesë çështje kyçe kanë mbetur të pazgjidhura, duke përfshirë financimin shtetëror të fushatave zgjedhore. Apasiev e cilësoi situatën diskriminim politik ndaj Levicës dhe njoftoi se partia do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për nenin 76-d, duke paralajmëruar se nëse procesi vazhdon në këtë formë, deputetët e Levicës do ta bllokojnë miratimin e Kodit Zgjedhor.