Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, ka akuzuar deputetët e shumicës për “patriotizëm të rremë”, duke pretenduar se shumë prej tyre posedojnë shtetësi bullgare. Gjatë intervistës në edicionin qëndror të lajmeve në Alsat, Filipçe kërkon që ndalimi i shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët e lartë të hyjë në fuqi menjëherë, dhe jo të lihet për mandatin e ardhshëm siç propozon VMRO-DPMNE-ja.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së e dhanë atë propozim dhe në propozim-ligjin e tyre qëndron kërkesa që kjo të vlejë nga përbërja e ardhshme parlamentare,ata ikin nga përgjegjësia. Ne kemi dorëzuar amendamente që ai ligj të vlejë që nga kjo përbërje aktuale parlamentare, pa le të shohim se sa patriotë janë. Le ta dinë qytetarët se janë patriotë të rremë dhe se gjysma e tyre kanë shtetësi bullgare; kanë atdhe rezervë. Dhe kjo duhet të vlejë edhe për ministrat në qeveri, sepse kush mund të garantojë që këta njerëz që kanë shtetësi tjetër nuk punojnë për interesat e atij shteti tjetër? Këtë askush nuk mund ta garantojë. Në përbërjen tonë parlamentare nuk ka deputetë me shtetësi të dytë. Konsideroj se nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është shumë e nevojshme në këtë situatë kur njerëz që kanë atdhe rezervë udhëheqin shtetin, që ne të sigurohemi që njerëzit në funksionet më të larta shtetërore të mos kenë atdhe rezervë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

The post Filipçe: Nuk mund të udhëheqin shtetin persona me shtetësi të dyfishtë appeared first on Alsat.