Me këtë qeveri eurointegrimet janë ndalur, të rinjtë po emigrojnë dhe po marrin pasaporta bullgare, theksoi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili është edhe kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime, në debatin në parlament për rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Filipçe theksoi se me politikat që po ndjek kjo qeveri po tregohet qartë se nuk dëshirohet që shteti të ecë përpara drejt Evropës, sepse nuk dëshiron kontroll nga institucionet evropiane.
“Për fat të keq e vërteta është zhgënjyese, mos prisni asgjë nga rruga evropiane. Dhe këtë nuk e them unë, e thotë kryeministri Hristijan Mickoski. Njeriu thotë, nëse duhet, do të presim dekada për Evropën. Çfarë mund të presim pas një deklarate kaq eksplicite në publik se kjo qeveri nuk do të bëjë asnjë hap”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM.
Eli Panova, deputete nga VMRO-DPMNE, e kritikoi paraqitjen e Filipçes dhe e vlerësoi si fjalim politik. Sipas saj, faktorët politikë duhet të arrijnë konsensus për interesat kombëtare.
“Mendova se prania këtu të gjithë në të njëjtën tryezë do t’i tejkalonte politikat dhe kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime sot do ta tejkalojë edhe përplasjen e tij momentale me mediat dhe nuk do ta shfrytëzojë si arsye për të mbajtur këtu fjalime politike. Ndërtimi i konsensusit nacional kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm. Konsensusi nacional nënkupton edhe konsensus për interesat tona kombëtare”, u shpreh Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
Ish-ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani me kritika ndaj politikave të rrugës eurointegruese të vendit. Ai thotë se e ardhmja e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e zbehtë.
“Këtu te ne Bashkimi Evropian ose Brukseli është shndërruar në instrument për politikë ditore në vend që parlamenti të përdoret si instrument për anëtarësim në BE. Situata për fat të keq është e tillë, nuk ka vullnet për integrim në BE, nuk ka presion të mjaftueshëm për shkak të dinamikave të tjera për të cilat mund të flasim, por perspektiva është e zbehtë”, theksoi Bujar Osmani, ish ministër i Punëve të Jashtme.
Cvetanka Ivanova, ish-sekretare e përgjithshme e Kuvendit, tha se edhe vetë organi ligjvënës ka detyrimin të miratojë ligje që do ta çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian, por siç theksoi ajo, një proces i tillë nuk po shihet.
