Gazetar: Angell Dimovski

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe akuzon për kolaps ekonomik, situatë alarmante me buxhetin, të ardhurat e investimet. Filipçe vuri në dukje se vetëm 75 ditë para fundit të vitit, korniza buxhetore, e përcaktuar nga të ardhurat dhe shpenzimet, tregon të dhëna shqetësuese. Sipas tij, 70.78% e të ardhurave janë realizuar dhe njëkohësisht shpenzimet janë 72.82%.

“Kjo do të thotë se me këtë ritëm dhe kjo pritet që në fund të vitit të ketë një mungesë prej 1.4 miliard euro, për të mbuluar të gjitha kostot në shtet, që është një boshllëk me të vërtetë goditës dhe i madh buxhetor. Kjo do të thotë që të gjitha këto para do të mbulohen nga huamarrje të reja, barrë e re për qytetarët dhe bizneset ku dhemb më shumë, ose duke shkurtuar shërbimet më të rëndësishme publike”, deklaroi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë në kundër-përgjigen e saj, Qeveria thotë se nuk pret që Filipçe të dijë dhe të jetë ekonomist, por përgjegjësia kërkon të paktën të konsultohet me dikë që i kupton numrat. Sipas Qeverisë buxheti është i qëndrueshëm dhe të gjitha detyrimet ndaj qytetarëve, kompanive dhe institucioneve bëhen në kohën e duhur.

“Deficiti buxhetor i parashikuar për vitin 2025 është 41.4 miliardë denarë, që është 3.3 miliardë denarë më i ulët se viti 2024. Realizimi deri më tani arrin në 36.4 miliardë denarë, që është në korniza të planit. Borxhi publik që nga korriku ishte 58.7 për qind dhe pritet të jetë më i ulët se 62.1 për qind i parashikuar deri në fund të vitit 2025. A duhet t’ia kujtojmë Filipçes se nga viti në vit e kanë tejkaluar këtë kriter?”, njoftojnë nga Qeveria.

Lideri i LSDM-së opozitare vuri në dukje se Banka Botërore tashmë kishte parashikuar, që borxhi publik i vendit do të rritet në 62.9 për qind të Prodhimit Bruto Vendor , duke e bërë vendin me më shumë borxhe në Ballkan. /Alsat.mk

The post Filipçe: Situata ekonomike është alarmante, shpenzimet janë më të larta se të ardhurat appeared first on Alsat.