Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi VMRO-DPMNE-në se po përpiqet t’ia faturojë Bashkimit Evropian përgjegjësinë për moszbatimin e reformave. Filipçe tha se deklaratat e ministrit Mucunski në Bruksel janë manipulim klasik politik, duke folur një gjë para qytetarëve të Maqedonisë dhe tjetër gjë në Bruksel.

“Mucunski bubulloi në Bruksel, Timço. Kjo tashmë tingëllon qesharake në vetvete. Por ajo që nuk është aspak qesharake është se grupi kriminal i VMRO-s nëpërmjet mediave të tyre — tani vini re — po akuzon Bashkimin Evropian se nuk zbatohen reformat këtu te ne. Përsëris çfarë kanë publikuar — Timço Muçunski, ministër i grupit kriminal të VMRO-s, dhe në emër të shefit të bandës Hristijan Mickoski, bubulloi në Bruksel dhe akuzoi BE-në se ajo është fajtore që ne nuk i zbatojmë reformat si kusht për vazhdimin e negociatave”, theksoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE akuzoi LSDM-në dhe liderin e saj Filipçe se “punojnë më shumë për Bullgarinë sesa për Maqedoninë”. Valentin Manasievski tha se LSDM-ja nuk ka mbështetje nga qytetarët dhe po përhap kaos mediatik pa asgjë konkrete për t’u ofruar. Ai shtoi se pretendimi i LSDM-së se ndryshimet kushtetuese janë hapi i fundit drejt BE-së është i pavërtetë.

“LSDM-ja dhe Filipçe me vetëdije po përhapnin kaos në hapësirën mediatike, sepse janë të humbur dhe nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, përveç gënjeshtrave, shpifjeve dhe manipulimeve. LSDM-ja dhe Filipçe thonë se ndryshimet kushtetuese janë hapi i fundit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kryeministri bullgar Rumen Radev në paraqitjet publike njofton se pas ndryshimeve kushtetuese ka kërkesa shtesë nga Bullgaria. Se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit për Maqedoninë, e besojnë vetëm Venko Filipçe dhe besnikët e Zoran Zaevit”, u shpreh Valentin Manasievski – VMRO DPMNE.

Ndryshe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është e bllokuar për shkak ndryshimeve kushtetuese të cilat nuk po bëhen e që janë kusht për të vazhduar më tej. LSDM, BDI dhe VLEN janë pro që të votohen ndryshimet kushtetuese, por pa votat e VMRO DPMNE-në nuk arrihen 2/3 e nevojshme.