Rikonstruimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk do të kufizohet vetëm në nivel ministrash, por pritet të shtrihet edhe te zëvendësministrat, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve shtetërore, mësohet nga burime qeveritare!
Sipas informacioneve, në disa ministri do të emërohen zëvendësministra të rinj si pasojë e ndërrimev të ministrive midis partnerëve të koalicionit, ndërsa në disa resore të tjera priten zëvendësime të zëvendësministrave aktualë, pas vlerësimit të performancës së tyre në detyrë.
Paralelisht, në proces shqyrtimi janë edhe një numër i madh drejtorësh dhe zëvendësdrejtorësh në institucione publike, të cilët vlerësohen për rezultatet e tyre në punë. Synimi i ndryshimeve është rritja e efikasitetit dhe vendosja e kuadrove me performancë më të lartë.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se rikonstruimi nuk do të ndalet vetëm në kabinetin qeveritar, por do të prekë edhe nivelet drejtuese të institucioneve shtetërore.
Edhe nga VLEN nuk përjashtojnë ndryshime në nivel të zëvendësministrave dhe drejtorive, duke lënë të hapur mundësinë për rifreskim të kuadrove në administratë.
Ndërkohë, pas VMRO-DPMNE-së, edhe VLEN ka publikuar emrat e rinj në përbërjen qeveritare. Koalicioni ka propozuar Jeton Shasivari për ministër të Drejtësisë, Agon Ferati për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Sedat Sulejmani për ministër të Kulturës dhe Turizmit.
Në detyrat e tyre aktuale do të vazhdojnë Bekim Sali, Besar Durmishi dhe Muhamet Hoxha.
Paralelisht, priten edhe ndryshime në disa resore kyçe të propozuara nga VMRO-DPMNE, ndërsa rikonstruimi pritet të pasohet me një valë emërimesh dhe shkarkimesh në institucione shtetërore në nivele të ndryshme
