Në zgjedhjet lokale VMRO DPMNE fitoi 55 komuna, përfshirë edhe qytetin e Shkupit. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, në një mesazh për LSDM, tha se nuk ndihet i lumtur për humbjen e tyre, por kjo është për shkak se nuk janë reformuar. Vonë mbrëmë në selinë e partisë brohoritej “fitore”, por duket se marrja e Bërvenicës dhe Kërçovës ka një kuptim të veçantë për ta. Pas kësaj, kryetari Mickoski shkoi menjëherë në Bërvenicë për t’i uruar personalisht Jovica Ilievskit dhe më pas në Kërçovë tek kryetari i ri Aleksandar Jovanovski.
“E dini se nuk meritoj as të përmend emrin e kundërkandidatit, ai u përpoq të përfitojë nga ndarjet kombëtare dhe etnike. Nuk ia arriti, humbi. Duhet të pranoj dhe të shpall një mesazh shumë të fortë që vjen këtë mbrëmje. Ai vjen nga Kërçova Kërçova. Miti që Kërçova është e tyre ose jonë ka rënë; Kërçova është e Kërçovarëve. Shpresa fitoi, e ardhmja nuk ndërtohet me ndarje, por me respekt dhe punë të përbashkët”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Pas tre komunave në rrethin e parë dhe tre të tjera në të dytin, LSDM përfundoi me 6 qytete të fituara, dhjetë më pak se më parë, gjë që e thelloi krizën e partisë. Në mëngjes erdhën edhe dorëheqjet e nënkryetares së partisë Ana Çupeska si dhe të kryetarit të organizatës komunale të Gjorçepetrovit, Kostadin Acevski, i cili ishte edhe kandidat për kryetar. Filipçe dje njoftoi ndryshime kadrovike.
“Këto zgjedhje janë një tregues i qartë për LSDM, sigurisht edhe për mua si kryetar i partisë. Është e qartë se çfarë ndryshimesh duhet të bëhen politikisht dhe kadrovikisht, siç e kam njoftuar. Ditët e ardhshme do të ndodhin. Do të ketë mbledhje të Ekzekutivit, të Këshillit Qendror ku do t’i shpall këto ndryshime dhe gjithashtu do të planifikojmë dhe organizojmë Kongres për të diskutuar politikat për periudhën e ardhshme”, pohoi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
VLEN në këtë garë zgjedhore doli e dyta me 9 vende kryetarësh komunash. Izet Mexhiti, i cili në rrethin e parë mori pozitën e kryetarit në Çair, tha se sovrani vulosi që legjitimitetin e shqiptarëve e ka VLEN.
IZET MEXHITI, KOALICIONI VLEN:
“Ju thamë që në fillim, këto janë zgjedhje lokale, zgjedhje për komuna. Ata kërkuan referendum, kërkuan legjitimitet dhe sovrani vulosi që legjitimitetin e shqiptarëve e ka VLEN-i prej Dollnenit deri në Dibër, Strugë. Prandaj sonte fituan shqiptarët, fituan ata që besuan në ndryshim.”
Koalicioni AKI i udhëhequr nga BDI fitoi 4 vende kryetarësh komunash. Kryetari, Ali Ahmeti, tha se në një farë mënyre kanë një rezultat të mirë pasi morën një numër të madh votash.
Ali Ahmeti, AKI
“Rezultatet për disa komuna nuk pasqyrojnë vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por janë pasojë e koalicioneve jo kushtetuese dhe marrëveshjeve të përkohshme, të cilat në thelb e kanë cenuar frymën e garës demokratike. Këto bashkime artificiale mund të sjellin fitore afatshkurtra në letër, por do të kenë pasoja serioze për progresin dhe arritjet e deritanishme, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel kombëtar.”
Lëvizja ZNAM mori një komunë, pra kryetari Maksim Dimitrievski mori edhe një mandat për Kumanovën.
Në Strugë fitoi kandidati i pavarur Mendi Qyra dhe në Shuto Orizare, Kurto Dudush nga Unioni i Romëve.

