Drejtori ekzekutiv i Bajer Leverkuzenit, Fernando Karro, ka zbuluar se Florian Virtz do të kishte zgjedhur Real Madridin nëse klubi spanjoll do të kishte paraqitur një ofertë të qartë verën e kaluar. Liverpulli e bleu në verë gjermanin në një marrëveshje prej 150 milionë eurove, por deri më tani nuk e ka treguar kualitetin në Premier Ligë.
Duke folur në emisionin “Doppelpass të Sport1”, Karro tha se Leverkuzeni kishte prioritet absolut rinovimin e kontratës së Virtzit dhe ishte i gatshëm të thyente kufijtë financiarë për ta mbajtur atë në klub
“Familja Virtz dhe Florian e dinin se zgjatja e kontratës së tij ishte prioriteti ynë kryesor. Gjatë verës ishim shumë të kujdesshëm me pagat, por për Florianin do të kishim bërë përjashtim. Ishim të gatshëm të shkonim deri në fund për ta mbajtur. Për një moment menduam se mund të funksiononte, por në fund, Florian vendosi vetë. Prindërit e tij janë këshilltarët më të afërt dhe mendoj se bënë mirë që respektuan plotësisht dëshirën e tij”.
Sa i përket mundësisë për t’u transferuar në Real Madrid, Karro pranoi se ambicia e Virtz-it për të fituar Ligën e Kampionëve e bënte klubin madrilen shumë tërheqës.
“Është një lojtar që dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve. Ne menduam se me këtë skuadër mund të shkonim më larg, por ai e pa që, ndonëse fituam Bundesligën, fitimi i Ligës së Kampionëve me Leverkusenin do të ishte shumë më i vështirë”.
Karro gjithashtu theksoi rolin e Çabi Alonsos në këtë histori.
“Florian do të kishte shkuar te Real Madrid po të ishte Çabi ai që do ta kërkonte personalisht. Por Çabi nuk ka aq ndikim në Madrid sa tek ne. Një nga pikat e tij më të forta është puna me departamentin e skautimit për të përcaktuar se cilët lojtarë duhen në ekip. Në Madrid, për transferimet vendos Florentino Perez, jo Çabi Alonso”
The post “Florian Virtz do ta zgjidhte Real Madridin, nëse ata do të bënin ofertë” appeared first on Alsat.

